2015 për BE-në, një vit plot pasiguri

07/01/2015 00:00

Për Europën, 2015 do të jetë një tjetër vit përpjekjesh për të gjetur rehatinë dhe sigurinë, si ekonomike ashtu edhe politike.

Muajt e fundit të vitit të kaluar u vu re një qendrueshmëri relative, megjithatë rreziqet janë të pranishme, ndonëse jo si në 2012 sepse aktualisht nuk ka asnjë vend që ka të pamundur të mbulojë borxhet e veta.

Analisti Gevin Hewitt shkruan në BBC se kërcënimi më i madh tani për Europën është mbi stanjacionin ekonomik dhe deflacionin. Në fakt zyrtarët europianë kanë paralajmëruar herë pas here se dështimi me masat për të krijuar rritje ekonomike dhe krijim të vendeve të reja të punës, nuk shkakton vetëm tensione sociale, por rrezikon gjithë projektin e një europe të bashkuar.

Sipas parashikimeve ekonomia europiane nuk do të kthehet në nivelin e 2007-ës para vitit 2020. Për 2015 rritja parashikohet të jetë e papërfillshme dhe kërkesa do të mbetet e ulët. Gjermania do të vazhdojë të ruajë rolin e motorit të ekonomisë europiane, por jo me atë fuqi që ishte dy vite më parë. Rritja për Francën parashikohet në 0.7 përqind, ndërsa Italia pritet të dalë nga reçesioni. Në total Eurozona nuk pritet të rritet me më shumë se 1 përqind, një shifër e pamjaftueshme për të luftuar papunësinë që kap nivelin e 11.7 përqind.

Edhe këtë vit sytë do të drejtohen nga Banka Qendrore Europiane dhe presidenti i saj, Mario Draghi. Në 3 muajt e parë të këtij viti BQE pritet të stimulojë kërkesën duke blerë bonot sovrane, një vendim që Gjermania e kundërshton dhe që mund të pasojë me një përplasje ligjore mes Berlinit dhe BQE-së.

Heëitt shkruan se Europa do të vazhdojë të ruajë ulët vlerën e Euros në përpjekje për të ulur koston e eksporteve dhe për të rritur kërkesën në ekonominë vendase. Masat antikrizë do të vazhdojnë të krijojnë kundërshtarë. Italia, Franca dhe Spanja kërkojnë më shumë investime, Gjermania këmbëngul në reduktimin e defiçiteve buxhetore nën 3 përqind.

Mes pasigurive ekonomike shqetësim në rritje për këtë vit do të jetë edhe emigracioni. Konfliktet e stërzgjatura në Lindjen e Mesme kanë rritur dyndjet drejt vendeve perëndimore. Porta e parë është Greqia dhe Italia, por rritje ka edhe në Gjermani. Në 2014 të dhënat zyrtare thonë se 120 mijë myslimanë aplikuan për azil në Gjermani, pjesa më e madhe e të cilëve sirianë.

Këto të dhëna kanë rritur lëvizjet antiemigracion. Pegida, një rrjet që e quan veten ‘patriotët e rinj europianë kundër islamizimit të Perëndimit’ organizoi në Dresden një protestë ku morën pjesë 18 mijë persona. Protestat pasuan antiprotesta dhe reagime të politikanëve, artistëve dhe futbollistëve gjermanë.

Një tjetër problem që përballet Europa është edhe raporti me Britaninë e Madhe. Londra kërkon rinegocim të disa marrëveshjeve, por ka hasur në kundërshtimin e Berlinit dhe Parisit. Në maj britanikët do të votojnë për parlamentin e ri dhe Kryeministri David Cameron ka premtuar se nëse fiton këto zgjedhje, në 2017 do të mbajë një referendum që do të përcaktojë nëse e ardhmja e Britanisë do të jetë në BE ose jashtë saj.

Britania është ‘një problem’ i vogël në Perëndim, po të kihet parasysh rreziku rus në Lindje. Një llogari e bërë gabim në konfliktin ukrainas, mund të fusë Europën në një “Luftë të Ftohtë” me Moskën, ndonëse 2014 u mbyll me marrëdhënie të acaruara që pasuan sanksione të ndërsjellta mes vendeve.

Aktualisht ekonomia ruse është në prag krize, për të mos thënë që ka prekur krizën. Ish-ministri i Financave, Alexei Kudrin thotë se vendi po vuan pasojat e sanksioneve perëndimore dhe nëse nuk ka hyrë ende në krizë ekonomike, gjasat janë që një gjë e tillë të ndodhë brenda javëve.

Rusia në Lindje, Britania në Perëndim, Greqia dhe kriza ekonomike e përhapur kudo. Këto janë sfidat e mëdha të Bashkimit Europian. Sa i përket daljes së Londrës dhe rrezikut që i kanoset unionit, ndoshta ka të drejtë ish-presidenti i BE-së, Herman Van Rompuy: “Pa Britaninë e Madhe Europa do të ishte e plagosur, e copëtuar ndaj duhet bërë gjithçka për të shmangur këtë. Megjithatë edhe nëse kjo ndodh, Europa do të mbijetojë. Por pa Francën, Europa, ideja e një Europe të bashkuar do të vdesë”.

Si përfundim, 2015 do të jetë një vit i vendimeve të mëdha, përplasjeve të mëdha që do të vendosin të ardhmen e Europës. 

Top Channel