Presidenti egjiptian: Na duhet një revolucion fetar

07/01/2015 00:00

“Jemi në nevojën urgjente të një revolucioni fetar. Ju imamët jeni përgjegjësit kryesorë për këtë, jeni përgjegjës përpara Allahut.  Bota islamike po shkërrmoqet, po shkatërrohet, po humbet…dhe po humbet nga vetë duart tona”.

Me këto fjalë iu drejtua imamëve më të mëdhenj të Egjiptit, Presidenti Abdel Fattah el-Sisi, presidenti egjiptian i cili kërkoi që të luftohet ekstremizmi, gjatë fjalës së mbajtur me rastin e ditëlindjes së Profetit Muhamed, që këtë vit ishte më 1 janar.

“Na duhet një revolucion i vetes, një revolucion që do të përgatisë brezat e së ardhmes së afër të Egjiptit, brezat që vendi ynë do të ketë nevojë”, vijoi ai.

Ish-Ministër i Mbrojtjes, el-Sisi udhëhoqi grushtin ushtarak që rrëzoi Presidentin Mohamed Morsi, i dalë nga “Vëllazëria Muslimane” dhe i pari president i zgjedhur nga populli pas regjimit të Mubarakut.

“Është e patolerueshme që gjithë bota islamike të shihet në sytë e botës si burim ankthi, rreziku, vrasjesh dhe shkatërrimi. Është e patolerueshme! Nuk po them vetë feja, po them gjithë realiteti”, vijoi presidenti egjiptian.

Mesazhi i el-Sisi është i fuqishëm për faktin se ai është udhëheqësi i njërit prej vendeve më të fuqishme me mazhorancë të theksuar të besimit islam në Lindjen e Mesme, pavarësisht se që prej periudhës së Mubarakut është përfshirë nga trazira të brendshme, që i kanë venitur disi rolin në politikën e jashtme.

Megjithatë, për analistët dhe njohësit e politikave në Lindjen e Mesme, më shumë se sa një mesazh për revolucion alla-luterian, fjalimi i presidentit egjiptian interpretohet si përpjekje për të forcuar pozitat e tij.

Të martën, Abdel Fattah el-Sisi vizitoi Katedralen më të madhe kopte në Kajro, ku të krishterët egjiptianë festuan Krishtlindjen.

Top Channel