Policia: Atentatet, pa lidhje mes tyre

07/01/2015 00:00

Policia e Tiranës kishte të dhëna se në rrugën e Kasharit ka patur shkëmbim zjarri, çfarë praktikisht do të dërgonte për ndjekje penale edhe Emiljano Shullazin, ose të paktën mikun e tij Gilmando Dani, për përdorim të armëve luftarake të mbajtuara pa leje.

Drejtori i policisë së Tiranës, Ardian Çipa nuk sqaroi në një konferencë për mediat pasditen e së mërkurës rolin e Shullazit në atentatin që iu krye atij.

“Menjëherë pas njoftimit për shkëmbimin e zjarrit, policia është sinjalizuar se në Spitalin Ushtarak është paraqitur i plagosur me armë zjarri shtetasi Emiljano Shullazi, 36 vjeç, i shoqëruar nga shtetasi Gilmando Dani, vjeç 36, i cili ishte i dëmtuar në kokë nga dalja jashtë rruge e mjetit. Nga hetimet e kryera ka rezultuar se këta dy shtetas me automjetin tip “Wolksvagen Golf”, me targa “AA 629 HR” kanë qenë duke u kthyer nga Fushë Kruja në drejtim të Tiranës dhe sipas të dhënave paraprake, rreth orës 19:30 janë qëlluar me breshëri armësh zjarri nga një mjet tjetër dhe për pasojë kanë humbur kontrollin e mjetit dhe kanë dalë nga rruga. Në vendngjarje janë gjetur 24 gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, një krëhër pistolete dhe një krëhër automatiku model 56, të cilët janë dërguar për ekzaminim balistik në Drejtorinë e Policisë Shkencore”, deklaroi Çipa.

Duke qenë se në shkëmbimin e zjarrit janë përdorur disa armë, policia kishte shumë të dhëna se edhe nga “Golf 5-a” që përdorej nga Shullazi ka patur të shtëna. Drejtori i policisë sqaroi edhe rolin e policit Meta në ngjarjen e Rrugës së Kavajës.

Shefi i bluve të kryeqyteit tha se, pavarësisht se Roland Meta u arrestua nën akuzën e vrasjes në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, ai i bëri me dije Arianit Sterios se ishte polic.

“Pasi ka plagosur me armë shtetasin Serjani, punonjësi i policisë ka reaguar duke i bërë thirrje: Ndal, policia. Në këtë moment vrasësi ka reaguar duke plagosur punonjësin e policisë, i cili edhe në këto kushte i është përgjigjur me shkëmbim zjarri, duke e plagosur rëndë. Shtetasi Arjanit Sterio është përpjekur të largohet dhe rreth 1 km më larg ka mbetur i vdekur. Sqarojmë se punonjësi i policisë Roland Meta është pranuar në Policinë e Shtetit në vitin 2005, ndërsa në Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale është emëruar në dhjetor të vitit 2007, detyrë që e mban edhe sot”, shtoi më tej Çipa.

Top Channel