Të kalosh dimrin nën kartonë e plastmasë

07/01/2015 00:00

Ata janë njerëz me histori të trishta, shpeshherë të braktisur nga familja dhe në shumë pak raste nga zgjedhja e tyre personale. Janë njerëz pa çati mbi kokë dhe vetëm me rrobat që mbajnë veshur enden rrugëve në kërkim të një skute ku nuk i prishin punë askujt dhe shndërrohen në qenie thuajse të padukshme. Aq të padukshme, saqë edhe kur i ftohti është më i ashpër së kurrë, ata dergjen rrugëve në tentativën për t’i mbijetuar edhe dimrit të këtij viti.

Në qendër të Tiranës, aty ku kalimtarët janë të shpeshtë edhe në mesnatë dhe kur temperaturat shënojnë nën zero, tre të pastrehë luftojnë çdo natë me të ftohtin. Vladimiri, një prej tyre, prej 16 vitesh bën të njëjtën jetë, nëse mund të quhet e tillë ajo e tija: “Kam 19 vite që jam ndarë nga gruaja dhe 16 vjet që jetoj rrugëve. Është ftohtë, por çfarë të bëj…”

Bashkëvuajtës me Vladimirin, një burrë tjetër mendon se shpëtimin nga i ftohti do ta gjejë te plastmasët, me të cilët mbulon çdo centimetër të trupit. Ai duket se nuk do ta pranojë kurrë gjendjen fatkeqe në të cilën ndodhet, paçka se me rebelim thotë të kundërtën: “Nuk jam i pastrehë jo, rri kot për sport jashtë, më pëlqen jeta e egër.”

Pak kilometra më tutje, pas stadiumit “Qemal Stafa”, syri të kap disa kartonë dhe batanije të vjetra. Me pak vëmendje mund ta kuptosh që janë të tjerë njerëz që flenë në rrugë, më të shumtë në numër. Qamili, 52 vjeç, është një prej të pastrehëve mbase më të regjur dhe më zemërthyer të kryeqytetit.  

“Ndez zjarr që të mos kem ftohtë sepse është ngricë. Le të vijë policia, ata e dinë që jam rrugëve”, thotë Qamili.

Ai rebelohet kur i kujton gjendjen dhe të ftohtin e këtij janari, që i harron vetëm ato pak sekonda kur zjarri i ngroh duart dhe i rikthen buzëqeshjen: “Kam 20 vite që jetoj jashtë. Nuk ke ku gjen zgjidhje sepse qeveritarët duan të ngopen vetë dhe nuk pyesin për njerëzit që janë rrugëve. A kam frikë se mos më ndodh diçka ? Le të ndodhë që të shpëtoj, unë atë dua.”

Ka edhe raste kur Qamilit ja zënë “shtratin”: “Sot ma ka zënë ky që ka ardhur nga Kosova. E takova paradite, pimë kafe. Tani do të shtrihem pak më tutje, ku të shkoj?”

Para se të sajojë një tjetër qoshe për të fjetur, Qamili e ka një apel: “Të më ndihmojë shteti. Nuk paska reparte ushtarake që të na fusë? Nuk duam pallate 20-katëshe.”

Por, të pastrehët nuk janë të vetmit që enden rrugëve të Tiranës për t’i mbijetuar varfërisë dhe të ftohtit. Jetës së tyre të vështirë u bashkohen rojet, punëtorët dhe pastruesit e orëve të vona, të cilët gjithashtu janë të vuajturit e heshtur e këtij dimri të acartë.

Top Channel