Një bidon me ujë të ngrohtë është shpëtimi nga temperaturat e ftohta të ditëve të fundit, të paktën gjatë orëve të natës. Kjo praktikë ndodh pothuajse në çdo familje shqiptare që druhet të përdorë energjinë elekrike për ngrohje apo dhe sobën me gaz apo me dru.

Ilda Leli ëshë një grua e ve në kryeqytet, e cila përdor gazin për t’u ngrohur, por ama vetëm një orë në ditë: “Nuk e mbaj shumë ndezur pasi nuk e ndjej të ftohtin. Në darkë unë futem në krevat me një shishe me bidon me ujë të ngrohtë te këmbët.”

Ilda na tregon se varianti i bidonit është me kosto të ulët dhe efikasitet të madh ndaj dhe përdoret në masë: “Kam një shoqe që futet që në orën 6 në krevat dhe sheh televizor me shishen e ujit te këmbët.”

Vasilika dhe Dhimitër Dashi, një çift pensionistësh madje e kanë pësuar nga bidoni: “I ka qëlluar një herë bashkëshortit, i është hapur shishja. Pastaj bleva një jastëk me korrent dhe nuk e përdor më shishen.”

Ata gjatë ditës ngrohen nga një reflektor të cilit i ndezin vetëm njërën rezistencë. Ndërkohë që mbështjellja me batanije është mënyra kryesore e ngrohjes, veçanërisht gjatë pasdites. Kanë provuar dhe batanijet me korrent, por ato u janë prishur shpejt.

Në këto ditë të ftohta, pensionistët kanë vendosur të flenë në të njëjtin ambient ku rrinë gjatë ditës: “Ngaqë këtu është shumë ngrohtë, nuk lëvizim fare.”

Kondicionerin nuk e ndezin për të mos harxhuar dhe për ngrohje shpenzojnë rreth 3 mijë e pesëqind lekë. Në këtë familje me fëmijë të vegjël, shpenzimet janë dyfishi e mos më tepër.
Gjyshja tregon: “Ngrohemi me reflektor dhe kondicioner. Gjysmë ore e ndezim kondicionerin, sa të ngrohet pak. E fikim pasi paguajmë shumë pastaj.”

Ndërkohë, fjetja vazhdon të jetë me të njëjtën praktikë: “Mbushim nga një shishe me ujë të ngrohtë dhe e fusim te krevati i fëmijëve.”

Soba me dru është një tjetër alternativë për ngrohje, veçanërisht në qytete ku këto temperatura janë të zakonshme. Në një familje në Korçë, ky është i vetmi mjet ngrohjeje, por me orare të përcaktuara: “E përdorim me kursim, e ndezim natën dhe në mëngjes.”

Violeta nga Kamza nuk ka mundësi të blejë një sobë drush. Kushtet e vështira ekonomike nuk e kanë lënë të përfundojë as ndërtimin e shtëpisë e cila fut të ftohtë nga të gjitha anët: “Jemi 5 veta që futemi në batanije.”

Dhe dielli falas është jorgani më i volitshëm për ato minuta që shfaqet, një mundësi që nuk mund ta humbasë kurrsesi kjo familje e varfër: “Sa herë ka diell, ne dalim që të ngrohemi. Kur nuk ka, me batanije dhe shishe.”  
 
Për Violetën ajo është e vetmja mënyrë ngrohjeje ndërsa përgatit paketat e duhanit, nga shitja e të cilave mbijeton familja e saj.  

Top Channel