Basha: Shteti i kapur nga krimi

07/01/2015 00:00

Me anë të një postimi në rrjetin social Facebook, kreu i opozitës Lulzim Basha ka vijuar sulmet ndaj qeverisë, duke thënë se, Shqipëria është bërë si vendet e humbura të Amerikës Latine, me atentate, vrasje dhe pushtetarë të pafytyrë që luajnë në të dyja krahët.

“Kaluan dy ditë dhe asgjë e qartë për ngjarjen, por kapot e krimit që u zunë me arsenal armësh në makina u lanë të lirë. Jetojmë në një shtet ligjor apo shtetin e krimit? Kjo është qeveria e standardeve të dyfishta. Burg, burg, burg… janë klithmat e përditshme të kryeministrit, por burgun e paska për popullin, jo për bandat”, shkruan Basha në Facebook.

Sipas kreut të opozitës, organizatat kriminale kontrollojnë sot qeverinë, ministrat dhe pjesë të organeve të rendit.

“Krimi ka kapur shtetin. Drejtues të lartë të administratës dhe shtetit dhe deputetë të PS janë faktuar të dënuar e të kartelizuar si kontigjent i krimit kombëtar dhe ndërkombëtar. Lufta për dekriminalizimin e politikës dhe shtetit është misioni i çdo shqiptari, lufta që ia kemi borxh Shqipërisë, të ardhmes. T’i dalim zot vendit në ditë të vështira është obligimi i çdo atdhetari. O sot, o kurrë të gjithë së bashku t’i kthejmë qytetarit sigurinë, t’i kthejmë vendit dinjitetin”, mbyllet reagimi i Bashës.

Top Channel