Kozeta Kurti: E vërteta e akuzës për vjedhje në Bergamo

07/01/2015 00:00

Kur një person publik përfshihet në një situatë jo normale, lajmi merr dhenë dhe e vërteta bëhet më e vështirë për t’u dalluar. Gazetarja Kozeta Kurti ka qenë protagoniste e një lajmi ditën e martë. Një gazetë në Bergamo publikoi se Kozeta, së bashku me një grup tjetër shqiptarësh, janë ndaluar nga policia italiane për disa produkte të papaguara me vlerë rreth 400 euro. Një lajm që është komentuar shumë në rrjetet sociale dhe që vetë Kozeta e ka sqaruar në studion e ‘Pasdite në Top Channel’.

“Kam qenë në Itali së bashku me prindërit e mi tek të afërmit tanë. Nuk e kam mohuar kurrë që në këtë qendrën e madhe tregtare, jo në një market modest ashtu siç shkruanin dje mediat tona modeste, ka ndodhur një vjedhje dhe përmes telekamerave të sigurisë mund të vërtetohet shumë mirë kush janë abuzuesit. Përveç kësaj, duhej verifikuar si kishin ardhur njerëzit në qendrën tregtare: me makina, transport publik etj. Kanë qenë shumë shqiptarë aty, por vetëm unë isha e famshme dhe u bëra plaçkë për shtypin modest dhe lokal italian”, shpjegon Kozeta.

 Ajo shtoi se i vjen keq si e kanë trajtuar mediat shqiptare këtë rast pasi me median italiane çështjen do e zgjidhë në gjyq.

“Jam shokuar pasi vetëm me një e-mail mund të më pyesnin për këtë lajm. Mund të më pyesnin mua nëse isha arrestuar me të vërtetë. A e dinë këta njerëz se çfarë do të thotë të arrestohesh? Nëse nuk i njohin termat ligjorë, të paktën të përkthejnë mirë. U jam betuar prindërve të mi që unë kësaj historie do i shkoj deri në fund”, shtoi Kozeta, e cila premtoi se “vrerin që kanë nxjerr për mua, unë këta njerëz do i detyroj ta gëlltisin sërish.”

Top Channel