Rama u përgjigjet akuzave të PD: Shtrembërime e shpifje monstruoze

07/01/2015 00:00

Kryeministri i vendit, Edi Rama i është përgjigjur akuzave të opozitës lidhur me tre ngjarjet e fundit, vidoeskandali në QSUT, rasti i ryshfetit të truprojës së ministries së Arsimit dhe ngjarjet kriminale në Tiranë, duke thënë se në të gjitha rastet reagimi i policisë ka qenë i menjëhershëm.

“Të turpshme të gjitha aludimet e shtrembërimet mediatike dhe lëre pastaj shpifjet monstruoze të PD! Përpjekja për të bindur opinionin se krimi po bën kërdinë deri dhe në mes të Tiranës, përveçse me gjendjen e pashpresë të PD lidhet në fakt, drejtëpërdrejt, edhe me arritjet serioze të Policisë së Shtetit. Flasin shifrat, flet puna, flet rritja e respektit të qytetarëve për uniformat blu. Ngjarje të rënda apo të shëmtuara, krimesh apo korrupsioni, ka pasur e do të ketë, në Shqipëri si në çdo vend të Europës. Por ajo që ka rëndësi është reagimi i shtetit, rritja e zbulueshmërisë dhe ndëshkueshmërisë, çka sot janë rritur si kurrë më parë duke sjellë ulje tërësore të kriminalitetit, edhe pse mbetet ende shumë për të bërë”, shkruan Rama në Facebook.

Më tej kreu i qeverisë bën të ditur se këtë vit Policia e Shtetit do të fillojë ta bëjë krahasimin e rezultateve jo vetëm me të shkuarën, por edhe me të njëjtën periudhë në rajon.

“Matja me të shkuarën nuk mjafton më për ne, që llogaritë në fund të mandatit duam t’i bëjmë me standardet e BE! Ndërsa sa për ata që nga dritare të ndryshme hedhin sot gurë, mbi qeverinë e policinë për nivelin e krimit, është e qartë se jo vetëm nuk shohin apo nuk duan të shohin rezultatet e padiskutueshme në luftën kundër krimit, po mbase kanë humbur edhe kujtesën për çka ndodhte përditë vetëm deri 18 muaj më parë në Shqipëri. Se për PD kot të flasësh, dihet halli i SHQUP-atarëve”, mbyllet reagimi i kreut të qeverisë.

Top Channel