Rizgjimi i fortë i dollarit, monedha amerikane = 118 lekë

07/01/2015 00:00

Dollari amerikan është rizgjuar nga gjumi disavjeçar. Në tregun e brendshëm valutor, monedha e gjelbër tani kushton rreth 118 lekë, kur disa muaj më parë blihej nën 100 lekë. Ekspertët thonë se tendenca mund të vazhdojë.

“Referuar dollarit amerikan në kundërvlerë me lekun mund të ketë ende hapësirë për rritje. Në këto momente është 118 lekë por mund të shkojë deri në 120 lekë”, deklaron Rinald Gjyli, nëndrejtor i Departamentit të Thesarit pranë bankës Credins.

Zhvlerësimi i fortë i lekut ndaj dollarit është rezultat i asaj që po ndodh tregjet ndërkombëtare. Në gjashtë muajt e fundit dollari është forcuar me mbi 15 për qind ndaj euros.

Sipas ekspertëve, ky ndryshim në kursin e dy monedhave kryesore të botës pasqyron njëkohësisht fuqizim të dollarit, por edhe dobësim të euros. Por në tregun shqiptar euro nuk është zhvlerësuar ndaj lekut. Ekspertët shpjegojnë arsyet.

“Duke qenë se 75 për qind të peshës së valutës në Shqipëri e përbën euro, atëherë është më pozitive që të qëndrojë e kufizuar luhatshmëria dhe të mbetet i kontrolluar kursi euro-lek. Më shumë kërkohet nga kërkesa e brendshme e euros sesa nga ndryshimi i euros në tregjet ndërkombëtare”, nënvizon Gjyli.

Nga këto ndryshime po fitojnë ata shqiptarë që kanë kursime apo investime në dollarë. Sipas Gjylit, shumë prej tyre kanë filluar të shesin dollarët duke fituar më shumë para.

“Me forcimin e dollarit shumë investitorë vendas kanë gjetur një oportunitet, që dollarët e akumuluar dy apo tre vjet më parë t’i kthejnë ato sërish në lekë”, saktëson Gjyli.

Ringritja e dollarit dhe zhverësimi i euros pasqyrojnë kryesisht gjendjen respektive të dy ekonomive, asaj amerikane e cila po rritet me ritme të shpejta dhe eurozonës, të mbërthyer nga një krizë e thellë.

Top Channel