Emërimet në Gjykatën e Lartë, Vasili: Ligji është aty. Presidenti ta respektojë

07/01/2015 00:00

Për të folur mbi përplasjen mes Presidentit dhe Kuvendit, sidomos sa i përket emërimeve në Gjykatën e Lartë, i ftuar në edicionin qendror informativ të Top Channel, ishte kreu i Grupit Parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili.

Ilir Paço: Presidenti ka deklaruar se është presidenti më i sulmuar nga një mazhorancë. Cili është qendrimi juaj?  

Petrit Vasili, Kryetar i Grupit Parlamentar të LSI-së:
Nuk jam i prirur që të komentoj deklaratat në distancë, por jam i përqendruar që të bëj me dije që nisma më e fundit e cila u ndërmor dhe që kishte të bënte me zhbllokimin e situatës në Gjykatën e Lartë ishte një nismë ligjore që siguron transparencë, paanshëmëri dhe cilësi të gjykatësve. Në këtë çështje ka gjakftohtësi juridike dhe dritë mbi procesin. S’ka lidhje me presione politike dhe trysni.

Ilir Paço: Si do të vijë zgjidhja me emërimet në Gjykatën e Lartë? Do të shkoni në konsultime, përderisa Presidenti nuk e dekreton ligjin e ndryshuar në dhjetor?

Petrit Vasili: Ligji është aty dhe është një ligj i miratuar me shumicë të cilësuar ku edhe në komunikime të ndryshme gjatë konsultimeve ka dalë nevoja që ky problem të rregullohej me një ligj, nisma e mazhorancës ishte një snimë e drejtë dhe e duhur, edhe Presidenti ka patur dijeninë për procesin që është gjykuar logjik që zgjidhte edhe ndonjë paqartësi a vakuum ligjor në këtë cështje. Tani që kemi këtë instrument s’na mbetet asgjë përvecse ta zbatojmë, Parlamenti dhe Presidenti për rolet që përcaktohen. Presidenti do të jetë i ndihmuar nga një Këshill Konsultativ në Gjykatën e Lartë, që ka 5 anëtarë që zgjidhen me emërim të Presidentit. Kjo do të thotë që ky këshill nuk është i njëanshëm politikisht dhe as joobjektiv, por është një Këshill i ekuilibruar.

Ilir Paço: Pra po thoni që nuk do të shkoni në konsultime?


Petrit Vasili:
Çështja është që do vazhdojmë procesin në bazë të këtij ligji që ndan pozicionet e Presidentit dhe Parlamentit dhe cilat janë mekanizmat lehtësues ku Këshilli për Gjykatën e Lartë është dukshëm një instrument që qartëson situatën dhe shmang këto përplasje. Zbatimi i ligjit është çelësi i zgjidhjes së situatës.

Ilir Paço: U duk sikur me zgjidhjen e çështjes së Bankës së Shqipërisë u zgjidh edhe ngërçi mazhorancës me Presidenti. Kjo situatë e re a mund të thuhet se do të ndezë këtë mosmarrëveshje? Çfarë do të bëni ju si mazhorancë?

Petrit Vasili: Kishte një surprizë në reagimin e Presidentit menjëherë pasi pati dhe ka akoma në duar dekretimin e ligjit që zgjidhte ngërçin e krijuar. Duke lënë mënjanë ngarkesat emocionale, apo ndonjë ngut të panevojshëm në prononcimet e Presidentit dhe duke prevaluar logjika e ftohtë dhe e qetë e prevalimit të ligjit, do jetë rruga për të ecur përpara. Koheranca jonë është kjo: përpara një drejtësie që vuan dhe që ka humbur besimin e qytetarëve duhen lëvizje të shpejta, të thella, të drejtpërdrejta dhe transparente. Kushdo që i kundërvihet një fryme të tillë sigurisht që do të humbte besimin e qytetarëve.

Top Channel