Atentati, Rama letër Valls: Pranë jush në këto momente

07/01/2015 00:00

Kryeministri shqiptar Edi Rama i ka dërguar një letër ngushëllimi homologut francez Manuel Valls lidhur me ngjarjen e ndodhur këtë të mërkurë në Paris, ku në një sulm terrorist mbetën të vrarë 12 persona.

“Shqiptarët po e përjetojnë me dhimbje ndodhinë e sotme në zemrën e qytetërimit evropian. Ju shpreh ngushëllimet më të sinqerta të Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thotë Rama në letër.

Më tej në mesazhin e tij, shefi i qeverisë shqiptare e konsideron ngjarjen një “plagë” që tenton e pashpresë të cënojë vlerat dhe normat më të larta të qytetërimit.

“Ngjarja është një plagë e hapur barbarisht për të tmerruar Francën, Evropën dhe gjithë popujt e lirë. Kjo plagë imponon braktisjen e pamundur të vlerave të kësaj bote, që Franca i mishëron”, thotë më tej Rama në letrën e tij.

Më herët gjatë ditës kryeministri i vendit reagoi edhe përmes rrjetit social Facebook mbi ngjarjen e rëndë ndaj gazetës satirike franceze.

“Çfarë dhunimi për Francën e lirisë, barazisë, vëllazërimit kasaphana mbi redaksinë e gazetës së famshme satirike! Trishtim, solidaritet, revoltë”, tha Rama.

Top Channel