Francë, policia në kërkim të atentatorëve. Protesta kundër vrasjeve

07/01/2015 00:00

Një gjueti masive njeriu po zhvillohet në Paris për kapjen e tre atentatorëve që vranë 12 persona në zyrat e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”.

Kryeprokurori i Parisit, Francois Molins deklaroi se po bëhen të gjitha përpjekjet për të kapur përgjegjësit e këtij sulmi, por pa dhënë ndonjë detaj mbi hetimet.

“Hetimet kanë qenë të shumta dhe të thella dhe janë në vazhdim e sipër. Natyrisht edhe policia është mobilizuar në maksimum”, deklaroi Molins.

Ai u tha gjithashtu gazetarëve se 11 persona mbetën të plagosur nga sulmi, 4 prej të cilëve në gjendje të rëndë.

Nga ana e saj policia pariziene deklaroi më herët se personat e armatosur ishin larguar për në veri të Parisit, përpara se të braktisnin makinën e tyre dhe të merrnin me forcë një tjetër.

Ndërkohë, disa media franceze citojnë burime policore anonime që deklarojnë se tre të dyshuarit janë identifikuar.

Në mbarë Francën janë zhvilluar mbrëmjen e së mërkurës një seri protestash paqësore kundër vrasjeve, në atë që konsiderohet si sulmi më fatal në dekada.

Mijëra persona janë mbledhur në Place de la Republique, në qendër të Parisit, duke mbajtur pankarta me parulla të ndryshme dhe duke shprehur solidaritetin për familjet e viktimave.

Grumbuj stilolapsash, që simbolizojnë lirinë e shprehjes, si dhe qirinj të shumtë janë vendosur në shesh. Gjithashtu, disa dhjetëra mijëra persona u janë bashkuar mitingjeve në qytete të tjera të Francës.

Vendi ishte në alarm për sulme terroriste me karakter islamik pas një sërë incidentesh të regjistruara pak para Krishtlindjes, edhe pse qeveria franceze kishte mohuar që incidentet në fjalë të ishin të lidhura.

Ky është sulmi më fatal që verifikohet në Francë që prej vitit 1961, kur një bombë e vendosur nga ekstremistë të djathtë, që kundërshtonin planet për pavarësinë e Algjerisë, vrau 28 persona në një tren.

Top Channel