Gazetarët shqiptarë homazh për kolegët francezë

08/01/2015 00:00

Dhjetëra gazetarë shqiptarë, por edhe qytetarë të thjeshtë, u mblodhën mbrëmjen e së mërkurës përpara piramidës në kryeqytet, duke ndezur qirinj në shenjë homazhi për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Francë. Atyre iu bashkua edhe ambasadori francez në Tiranë.

“Franca është e plagosur, por ajo do të ringrihet. Në Shqipëri, ndoshta më shumë se në çdo vend tjetër e dimë se sa i lartë është çmimi i lirisë së shprehjes. Askush nuk do mund të bëjë të hesht lirinë e shtypit, askush nuk duhet të bëjë të heshti liria e fjalës. Në emër të Francës dua të falenderoj të gjithë ata që na kanë shfaqur ngushëllimet e tyre”, është shprehur ambasadori i francez në Tiranë, Bernard Fitoussi.
Kryetari i Unionit të Gazetarëve, Aleksandër Cipa, tha se të gjithë gazetarët shqiptarë, sot janë pjesë e asaj redaksie.

“Këta qirinj që ne ndezim sot këtu për kolegët tanë, për shpirtrat e tyre, është homazhi i përjetësisë së tyre sepse ata i shërbejnë misionit të madh të fjalës dhe të lirisë. Sot të gjithë ndjehemi pjesë e kësaj redaksie”, tha Aleksandër Cipa.

Nga ana e tij, ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, u shpreh se kjo luftë tashmë nuk është vetëm e Francës.

“Ne në mënyrë modeste do të vazhdojmë të jemi krah për krah me të gjithë partnerët tanë në këtë betejë kundër terrorizmit”, u shpreh Bushati.

Të pranishëm ishin edhe diplomatë të huaj, të cilët ndezën qirinj e mbajtën heshtje në nderim të viktimave të masakrës së ndodhur në redaksinë e “Charlie Hebdo”.

Top Channel