Masakra në redaksinë e “Charlie Hebdo”, Minxhozi: Ngjarje makabre

08/01/2015 00:00

Kryeredaktori i revistës “Java”, Skënder Minxhozi e cilësoi sulmin në redaksinë e revistës francezë si tepër të rëndë, duke shtuar se në kushtet kur një e djathtë ksenofobe po avancon në Europë, sot ky atentat është gjëja më e pakëndshme dhe e panevojshme që mund të ndodhte.

Pandi Gjata: Si e përjetuat ju si gazetar, por edhe komuniteti në Shqipëri, sulmin në redaksinë e revistës “Charlie Hebdo” në Paris?

Skënder Minxhozi:
Si gazetar, por edhe si frankofon meqenëse jam diplomuar në gjuhën frënge, realisht që nga sulmi në “Charlie Hebdo” u ndjeva vërtet rëndë sepse ishin pamje makabre. Të vrasës një njeri që po të lutet në trotuar me duart e ngritura të mos e vrasësh është e tmerrshme. Nga ana tjetër është aspekti gjeopolitik i ngjarjes, ku në një bashkësi vendesh perëndimore ku problemet e bashkëjetesës fetare, kulturore me komunitetet e ardhura rishtas aty janë gjithnjë e më të mprehta. Në kushtet kur një e djathtë ksenofobe po avancon në Europë sot, në kushtet kur lëvizje si “Pegida” në Gjermani, e cila synon të mbrojë territoret ndaj një evazioni islamik, ky atentat është gjëja më e pakëndshme dhe e panevojshme që mund të ndodhte.

Pandi Gjata: Një kërcënim që javë më parë i trembej Europa kur flitej për njerëz të infiltruar brenda vendeve të BE-së që mund të ndërmerrnin akte të tilla. Pra, mund të themi se ajo që ishte frika e Perëndimit u bë realitet me këtë ngjarje të Parisit…

Skënder Minxhozi: Këtu janë disa të vërteta që mbivendosen me njëra tjetrën: është realiteti i madh, pastaj është edhe realiteti i vogël i kësaj redaksie botimi, e cila ka qenë shënjestër e sulmeve, e dhunës verbale, e bombave molotov për shkak të botimit të karikaturave, të cilat ishin gjithmonë therëse dhe këtu duhet të themi që jo vetëm ndaj Islamit, por edhe ndaj komponentëve të tjerë. Dëgjova një deklaratë të njërit nga karikaturistët që tashmë nuk jeton më, i cili thoshte se, “Islami si çdo fe është ideologji dhe për sa kohë ne bëjmë karikatura kundër ideologjive nuk shoh arsye që ai të mos jetë në penën tonë”. Do të thosha që janë dy koncepte të kundërta të perceptimit të lirisë së fjalës dhe të publikimit, njëri i cili është një koncept i hapur që ka shoqëria e sotme të vendeve perëndimore dhe ai i një pjese të vogël të botës islame, i cili botimin e karikaturave mbi profetin Muhamed apo i figurave të tjera, e konsideron si një tabu që nuk duhet prekur.

Top Channel