Situata në Francë pas sulmit në redaksinë e “Charlie Hebdo”

08/01/2015 00:00

Gazetari i “Radio France Internationale”, Artan Kutra në një lidhje telefonike në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” nga Parisi foli në lidhje me situatën e krijuar në Francë pas ngjarjes tragjike të vrasjes së 10 gazetarëve dhe dy policëve në sulmin ndaj redaksisë së revistës satirike “Charlie Hebdo”.

Pandi Gjata: Si është situata në Francë pas sulmit në redaksinë e revistës satirike “Charlie Hebdo”?

Artan Kutra: Do ta përmblidhja me 4 fjali. Një mbështetje e fuqishme në manifestime nga njerëz të ardhur nga të gjitha profilet të grumbulluar në sheshin e “Republikës” në Paris. Një përforcim të forcave të rendit, të përqendruara në portat hyrëse të Parisit. Reagime të shumta të shoqatave të ndryshme të gazetarëve, por jo vetëm. Gjithashtu edhe prania e flamujve në gjysmë shtizë dhe të mbështjellë me fjongo të zeza. Pra, nëse do t’i përmblidhnim në 4 fjali kjo është pamja e kësaj mbrëmje në Paris. Nëse do të vazhdojmë ta shtjellojmë edhe më tej situatën, në orën 20:00 Presidenti francez ka bërë një deklaratë shtypi duke shprehur edhe ngushëllime për familjarët e gazetarëve të vrarë dhe ka shpallur ditën e nesërme si ditë zie kombëtare për Francën.

Pandi Gjata: Artan, cilat kanë qenë komentet e mediave franceze për këtë ngjarje dhe cilat do të jenë reagimet e autoriteteve ndaj këtij akti terrorist?

Artan Kutra: Reagimi ishte i menjëhershëm jo vetëm nga media, por edhe nga e gjithë klasa politike me deklarata që ndëshkojnë këtë “krim të shëmtuar”, siç e kanë quajtur vetë ata. Me anë të një deklarate zyrtare, Prokurori i Parisit është shprehur se janë duke u marrë masa të menjëhershme për të zbardhur situatën dhe arrestimin e agresorëve. Prokurori i Parisit tha se po ndiqen të gjitha pistat për të zbardhur situatën, por nga fakti që dy agresorët thanë “Allahu Akbar”, kjo, sipas mediave të ndryshme këtu në Francë, lë të nënkuptosh pistën fetare, e cila qëndron pas këtij akti të shëmtuar. Dua të kujtoj se revista “Charlie Hebdo” është një revistë e krijuar rreth viteve ’70, ku gazetarët e saj kanë vënë në shënjestër të kritikave të tyre jo vetëm aspektet fetare, por edhe aspekte politike dhe të jetës shoqërore në Francë dhe gjithmonë janë konsideruar si një medie shumë serioze.

Pandi Gjata: Por nuk kanë munguar edhe kërcënimet në vitet e fundit, në 2006 apo edhe në 2011…

Artan Kutra: Aspektet fetare kanë qenë më të theksuara, duke filluar sidomos që nga viti 2006, pasi këta gazetarë kanë kritikuar përmes artikujve të tyre çështje të ndryshme të jetës sociale në Francë, por kur janë drejtuar në temat fetare, fanatikët nuk e kanë duruar dot një shprehje të lirë të fjalës. Nëse do t’i referoheshim shtypit të sotëm francez, ata thonë se, “a është e mundur që pena të përballet me plumbin? Fjala është gjithmonë e lirë dhe ajo duhet respektuar”.

Top Channel