Masakra në Paris, dorëzohet 1 nga 3 të dyshuarit, vijon operacioni i policisë

08/01/2015 00:00

Një nga 3 personat e dyshuar si autorë të sulmit në redaksinë e “Charlie Hebdo” në Paris, ku mbetën të vrarë 12 persona, i është dorëzuar policisë rreth orës 02:00 të ditës së sotme.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia franceze e lajmeve AFP, sipas së cilës personi i dorëzuar është 18-vjeçari Hamyd Mourad, i cili mendohet të ketë ndihmuar në realizimin e krimit dy vëllezërit Cherif Kuoachi 32 vjeç dhe 34 vjeçari Said Kuoachi, të cilët dyshohen si ekzekutorë të 10 pjesëtarëve të stafit të revistës satirike dhe 2 policëve.

Më herët, mediat franceze raportuan se policia kishte lokalizuar 3 të dyshuarit në Reims. Me dhjetëra anëtarë të forcave speciale franceze anti-terror rrethuan një ndërtesë ku dyshohet se janë duke qëndruar dy vëllezërit Kuoachi.

Pas thuajse 10 orë hetimesh autoritetet franceze identifikuan autoret nga karta e identiteti e gjetur nga policia në “Citroen C3” të braktisur nga autorët.

Viktima në sulmin e ditës së mërkurë në redaksinë e “Charlie Hebdo” në Paris mbetën 10 pjesëtarë të stafit të revistës, mes tyre drejtori i saj, Stephan Charbonnier, si dhe tre prej karikaturistëve më të rëndësishëm të saj: Cabu, Tignous dhe Georges Wolinski. Po ashtu u ekzekutuan edhe 2 punonjës policie.

Presidenti Francois Hollande e etiketoi pa asnjë dyshim ngjarjen si sulm terrorist. “Ne e dinim se ishim të kërcënuar, sikurse dhe vendet e tjera të botës. Kërcënimi i sotëm erdhi sepse ne jemi vend i lirisë”, deklaroi Hollande, i cili mbrëmjen e së mërkurës njoftoi se e enjtja do të jetë ditë zije kombëtare në Francë.

Sulmi vjen mes tensioneve në rritje në Francë si pasojë e rritjes së ndikimit islamik në shoqëri. Mendohet se revista  franceze u kthye në qendrën e sulmit, pasi “Charlie Hebdo” njihet për shkrimet e saj satirike.

Rreth 15 minuta përpara sulmit, gazeta kishte publikuar në profilin e saj në “Tëitter” një karikaturë të liderit të ISIS, Abu Bakr al-Baghdadi. Por tre vite më parë ajo kishte realizuar karikaturën e profetit Muhamed, akt ky i cili solli reagime të forta në vend e jashtë tij.

Top Channel