Minxhozi: Nishani vijon të jetë një president partiak 

08/01/2015 00:00

Skënder Minxhozi, kryeredaktori i revistës “Java”, ishte i ftuar në “Revistën Televizive të Mbrëmjes” për të folur mbi përplasjet e fundit mes Presidentit dhe mazhorancës, si edhe për sfidat e opozitës dhe të mazhorancës këtë vit.

“Më vjen keq ta them, por Nishani vazhdon të jetë një president partiak”, kështu është shprehur zoti Minxhozi në lidhje me pozicionin e deritanishëm të Presidentit për ligjin e Gjykatës së Lartë, por jo vetëm.

Sipas tij, sfida e madhe e mazhorancës është ekonomia dhe punësimi, ndërsa për opozitën është afirmimi i një profili të sajin.

Pandi Gjata: Viti 2015 ka nisur me debate, kemi një përplasje të re mes Presidentit dhe mazhorancës, në mënyrë të veçantë për ligjin e Gjykatës së Lartë dhe emërimet. Mazhorancë kërkon sipas ligjit të miratuar në dhjetor, Presidenti kërkon që të vazhdojë me procedurën e vjetër sepse nuk e ka dekretuar këtë ligj. Si e shikoni këtë përplasje që ka nisur që në fillim të vitit.

Skënder Minxhozi: Edhe pa këtë përplasje, unë mendoj që nga fakti se brenda një viti kalendarik ka një palë zgjedhje, kjo shërben si një rrethanë vendimtare për ta klasifikuar vitin në fjalë si një vit të nxehtë politik. Nga eksperienca e viteve të fundit elektorale ne dimë që këto vite fillojnë të nxehta për shkak të afrimit të zgjedhjeve dhe konflikti politik nuk mbaron me ditën e zgjedhjeve ose edhe me zbardhjen e rezultatit, por gjithmonë zgjedhjet lënë një inerci krize. Unë besoj që ky vit nuk ka pse bën përjashtim, megjithëse zgjedhjet nuk janë të përgjithshme, por këto janë zgjedhje që zhvillohen në një sistem të ri të ndarjes territoriale. Pak ditë më parë Berisha thoshte se me këtë ndarje ne nuk marrim më shumë se 10 apo 11 njësi vendore. Mbi këtë problem që po vjen në formën e një debati, janë edhe fërkimet që mazhoranca ka me Presidentin për një çështje që është gjithashtu shume delikate. Çështja e drejtësisë është një çështje që të gjithë e shohin si kardinale në raportet që ajo krijon mes palëve në mënyrën se si ajo e formëson klasën politike. Më vjen keq ta them, me apo pa lukun e ri, Nishani vazhdon të jetë një president partiak. Në këtë rast ai ka formalisht të drejtë sepse realisht ligji nuk është dekretuar nga ai dhe me sa duket kur ai thotë që duhet të shohim nëse shkelet kushtetuta, ai në fakt na parathotë që nuk do ta kalojë ligjin. Duke marrë rolin si kryetar i shtetit, unë besoj se Nishanit do t’i takonte të luante një rol krejt tjetër nga ai i garantuesit të vetëm një gjenerate gjykatësish që janë provuar si të pazotë ose të korruptuar.

Pandi Gjata: Përveç përplasjes mes mazhorancës dhe Presidentit për Gjykatën e Lartë, kemi edhe një ashpërsim të gjuhës me të cilën e ka nisur 2015 mazhoranca, por edhe opozita në mënyrë të veçantë. Kemi akuza të ashpra për Kryeministrin, për Qeverinë, kemi reagimin e Kryeministrit, padi për kryetarin e grupit parlamentar të PD-s, Edi Paloka dhe zhvillime që duket se do të jenë të përditshme deri në zgjedhje. Nëse bëjmë një skaner të 2015-ës për mazhorancën dhe për opozitën çfarë do të nënvizoni si sfida për njërën dhe për tjetrën?

Skënder Minxhozi: Sfida e madhe e mazhorancës është ekonomia. Unë do të thosha që mazhoranca në disa drejtime ka dhënë dëshmi dhe prova se ka vullnet të bëjë edhe punë, të cilat teorikisht të heqin vota në zgjedhje. Kjo është edhe logjika e gjysmës së parë të mandatit. Në dy vitet e para çdo mazhorancë ndërmerr politika antipopullore sepse taktikisht ka kohë në pjesën e dytë të mandatit të rikuperojë atë që mund ta humbasë në funksion të mbështetjes popullore në pjesën e parë. Nga ana tjetër sfidat e mazhorancës mbeten ekonomia dhe punësimi. Rama duhet të na tregojë që nuk është vetëm i aftë të hyjë në Lazarat, nuk është i aftë vetëm për të çuar njerëz në burg, por se është edhe një kryeministër i aftë për të thithur investimet, për të hapur vende të reja pune, për të injektuar para në sistemin financiar.

Pandi Gjata: Një rritje ekonomike që të jetë e prekshme nga njerëzit…

Skënder Minxhozi: Deri tani jemi në një rritje ekonomike që nuk përkthehet as në vende pune, as në mirëqenie. Ndërsa opozita ka një sfidë shumë të thjeshtë, të afirmojë një profil të sajin. Opozita vuan nga një dualizëm i theksuar Berisha-Basha, vuan nga një gjeneratë e re të ardhurish, të cilët duhet të afirmojnë vetveten. Vuan edhe nga “vetullat e vrenjtura” të gjeneratës së vjetër, vuan nga politika e përjashtimit. Unë do të thosha që Partia Demokratike vuan edhe nga profili ende i pakonsoliduar i kryetarit të saj. Hija e Berishës është shumë e fortë. Unë po shoh që kryetari zyrtar i PD-së e ka të vështirë të gjejë hapësirat e nevojshme për të afirmuar lidershipin e tij në krye të një partie, e cila është mësuar me dorë të fortë për një çerekshekulli dhe tani do të duhet të ndërrojë gjithçka. Jemi në një kapërcyell ende delikat për opozitën, kur ajo do të duhet të na bind se ka një profil që mund të jetë i tillë që të sfidojë pushtetin dhe jo vetëm të bëjë oponencë.  

Top Channel