Kryetari i Kuvendit Ilir Meta priti këtë të enjte në Tiranë Raportuesin
për Shqipërinë pranë Parlamentit Evropian Knut Fleckenstein me të cilin
biseduan  mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë me
fokus të veçantë konsolidimin e dialogut dhe bashkëpunimit politik në
Kuvend.

Sipas një njoftimi zyrtar të Kuvendit, Fleckenstein u shpreh se përfundimi i bojkotit parlamentar të opozitës vlerësohet si një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare duke vënë në dukje se Parlamenti Evropian do të jetë gjithnjë pranë Shqipërisë për avancimin edhe më të shpejtë të procesit të integrimit evropian.

Meta dhe Fleckenstein ndanë bindjen se Kuvendi ka një rol të rëndësishëm në mbarëvajtjen e frymës së bashkëpunimit substancial politik në vend dhe në progresin e reformave madhore që nevojiten, duke nënvizuar se bashkëpunimi i ngushtë mes autoriteteve shqiptare dhe strukturave të Bashkimit Evropian është thelbësor në këtë drejtim.

Top Channel