Rënia e çmimit të naftës, përfitimet i ka marrë Qeveria jo konsumatorët

08/01/2015 00:00

Konsumatorët shqiptarë janë ata që kanë përfituar më pak nga rënia e
çmimit të naftës në rajon. Të dhënat nga ‘Global Petroleum’, një nga
burimet kryesore për çmimet e naftës me pakicë sipas vendeve, tregojnë
se bashkë me Serbinë, Shqipëria është i vetmi vend në Ballkan, ku çmimi
me pakicë i naftës ka rënë me më pak se 10 për qind, krahasuar me pikun e
tij në shtatorin e vitit të kaluar.

Në vendet e tjera, çmimet kanë rënë nga 15 deri në 20 për qind. Por cilat janë arsyet se pse konsumatorët shqiptarë kanë përfituar më pak nga rënia e fortë e çmimit të naftës? Më kryesorja duket e lidhur me taksat.

Sipas ‘Eurostat’, Shqipëria është një nga vendet me barrën më të lartë fiskale mbi karburantet. Dhe meqënëse pjesa dërrmuese e taksave, si akciza apo taksa e qarkullimit janë fikse dhe jo në përqindje, kjo bën që më shumë se se gjysma e çmimit final, që paguajnë konsumatorët të mos ndikohet fare nga ecuria e naftës në bursë. E thënë ndryshe nëse çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare bie me 10 për qind, në tregun e brendshëm vetëm si pasojë e taksave, rënia do të jetë dy herë më e vogël ose 5 për qind.  

Përtej kësaj, nga një janari, taksat për naftën u rritën sërish edhe me 12 lekë të tjera për litër. Në kushte normale, këto 12 lekë tani duhet të kishin shkuar si rënie e mëtejshme e çmimit për konsumatorët, por u devijuan në buxhet.  

Dhe kjo është vetëm rritja e fundit, që ka hyrë në fuqi këtë vit. Nëse llogaritet dhe ajo e vitit të kaluar, në total taksat mbi karburantet janë rritur me 24 lekë për litër krahasuar me fundin e vitit 2013. Kjo do të thotë se deri më tani përfituesja kryesore e rënies rekord të çmimit të naftës në bursë, ka qenë vetë Qeveria.   
     

Top Channel