Sigurimet, edhe nëpunësit e shtetit në të zezë gjatë qeverisjes së kaluar

08/01/2015 00:00

Për tetë vite me radhë, qindra punonjës të administratës shtetërore kanë punuar në të zezë, duke i rrezikuar pensionet e tyre. Edhe pse institucionet, ku ata kanë punuar, i kanë mbajtur paratë për sigurimet shoqërore, realisht ato nuk janë derdhur në arkë.

Ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj, gjatë takimit me të rinjtë e FRESSH-it në Kavajë, tha se ky skandal rëndon mbi qindra punonjës, të cilët janë mashtruar për vite të tëra.

“Skandali më i madh që kemi zbuluar muajt e fundit ka të bëjë me qeverisjen gjatë 8 viteve të kaluara, dhe qëndron në faktin se njerëzit punonin për shtetin, e shteti nuk u ka paguar as sigurimet shoqërore. Pra, edhe shteti shqiptar punonte në të zezë. Kur shteti punon në të zezë dhe ua mban nga rroga punonjësve përqindjen e sigurimeve shoqërore, pastaj i bën rrush e kumbulla dhe njerëzit rrezikojnë të mbesin pa pensione, kjo është skandaloze”, tha Erion Veliaj.

Por, veç punonjësve në shtet, janë edhe me qindra subjekte private, të cilat kanë mashtruar punonjësit e tyre, duke u vjedhur paratë e destinuara për sigurime shoqërore. Gjatë këtij viti priten aksione në të gjithë vendin, të cilat do të çojnë përpara ligjit çdo shkelës të tij.

Top Channel