I ftohti ekstrem, në SHBA dhe Kanada temperaturat shkojnë në -28 gradë

08/01/2015 00:00

Shërbimi Meteorologjik Kombëtar në Shtetet e Bashkuara paralajmëroi se temperaturat në vend dhe në Kanadanë fqinje po ulen në nivele të “rrezikshme”.

-28 gradë celsius shënoi mbrëmjen e së mërkurës termometri në Chicago. Erërat e acarta kanë ndikuar ndjeshëm në përkeqësimin e situatës, që detyroi autoritetet të mbyllin shkolla nga Dakota deri në Alabama, ndërsa në disa zona të tjera mësimi u shty.

Paralajmërime për mot të keq janë lëshuar në 17 shtete amerikane, si dhe për Ontarion e Quebecun Jugor në Kanada. Edhe më shumë priten të ulen temperaturat në verilindje, pas një fronti arktik që mund të sjellë erëra me shpejtësi 64 km/orë.

Një stuhi dimërore hodhi gati 30 centimetra borë në veri të Nju Jorkut. Kryebashkiaku Bill de Blasio u kërkoi banorëve të kontrollojnë brenda mundësive situatën e fqinjëve apo të të afërmve, që mund të rrezikohen nga i ftohti i madh.

-30 gradët e shënuara në Chicago ishin sfiduese edhe për vetë banorët e qytetit të njohur për dimrat e tij të egër. Trafiku atje është ngadalësuar nga ngricat, ndërsa trotuaret, që zakonisht gëlojnë nga njerëzit, janë krejtësisht të shkretuar.

I ftohti polar që po mundon disa rajone të Amerikës nisi të hënën e pritet të zgjasë disa ditë. Për temperatura nën zero dhe thellim përgatiten edhe disa shtete jugore. Sa për Kaliforninë, nga ana tjetër, ngricë atje nuk ka dhe termometri aktualisht shënon 27 gradë celcius.

Top Channel