Një grup ekstremist i majtë merr përgjegjësinë për sulmin terrorist në Turqi

08/01/2015 00:00

Një grup i ekstremit të majtë mori përgjegjësinë e sulmit vetëvrasës në një stacion policie të Turqisë, ku humbi jetën një prej efektivëve e u plagos një tjetër. Agresorja ishte një femër.

Gruaja, që mbante një veshje të gjatë të zezë, hyri në Komisariatin e lagjes “Sulltan Ahmet” të qytetit e iu tha rojeve se kishte humbur portofolin. Sipas guvernatorit të Stambollit, Vesip Sahin, ajo fliste anglisht, por me theks mjaft të rëndë.

Nga sa raportohet në media, gruaja fillimisht ka lëshuar një granatë, por ajo nuk shpërtheu. Pas kësaj policët u vërsulen ta ndalonin, e pikërisht në atë moment kamikazja shpërtheu eksplozivin, që kishte në trup.

“Sulltan Ahmeti” njihet si një prej zonave më të populluara të Stambollit, e shumë të frekuentuara prej turistëve.

“Isha me time shoqe rreth 3 metra larg. Papritur pati një shpërthim të fortë, xhamat u thyen, dëgjuam disa të shtëna. Paskësaj nxituam të largoheshim prej andej”, tha Hans Jogan Gartner, turist gjerman.

“Mbrëmjen e kaluar, udhërrëfyesi na tregoi se këtu ka pasur një sulm, por na tha të mos shqetësoheshim”, tha Daniel Santos, turist brazilian.

Ky është i dyti sulm në Stamboll, që nga fillimi i vitit. I pari ndodhi në pallatin “Dollmabahçe”, një tjetër zonë e mbushur me turistë dhe vendi, që më parë strehonte  zyrat e Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Një burrë lëshoi në atë rast një granatë në drejtim të forcave të rendit, por as ajo nuk shpërtheu. Partia Revolucionare për Çlirimin e Popullit njoftoi, në faqen e saj në internet, se sulmi i fundit ishte një formë hakmarrjeje për vdekjen e një 15-vjeçari vitin e kaluar, i cili u godit në kokë gjatë protestave antiqeveritare.

Top Channel