Ndryshimet globale të klimës prekin edhe Shqipërinë

08/01/2015 00:00

Viti 2014 ishte më i nxehti që prej 1981-shit. Këtë e bën të ditur Agjencia Meteorologjike japoneze, njëra nga katër agjencitë më të mëdha në botë, e cila pohon se temperatura globale në sipërfaqe të planetit tonë është rritur me 0.63 gradë celcius, mbi mesataren e shekullit të XX.

Fenomeni është studiuar që prej vitit 1981 e për periudhën kohore deri në 2014-n, dhe 5 vitet më të nxehta janë regjistruar prej 1998-s. Tri agjencitë e tjera më të mëdha në botë për efektet e klimës; amerikania “NASA”, Administrimi Atmosferik dhe Oqeanik Kombëtar (NOAA) dhe britanikja “Hadley Center”; priten të bëjnë gjithashtu një deklaratë zyrtare në lidhje me çështjen, për të theksuar dhe mbështetur të njëjtën gjë.

Instituti i Gjeoshkencave, Energjisë, Ujit dhe Mjedisit, këtu në Tiranë, nëpërmjet fakteve mbështet të njëjtën tezë. Një situatë e tillë parashikohet të vijojë edhe në muajt në vazhdim, sikurse e thekson zoti Petrit Zorba.

“Temperaturat në janar e shkurt, në stinën e dimrit, por edhe në muajt në vazhdim në periudha tremujore, do të ruajnë vlera pozitive kundrejt normës”, thotë klimatologu Zorba.

Shkencëtarët i tremben një përkeqësimi të mëtejshëm të situatës. Erërat e forta mbi Paqësor kanë pasur efekt frenues mbi temperaturat mesatare globale, duke lejuar ujërat oqeanike të ruajnë nxehtësinë, por dobësimi gradual i tyre do të përshpejtonte çlirimin e temperaturave ujore më shpejtë.

Edhe pse nuk përjashtohet nga pjesa tjetër e globit, vendi ynë mbetet disi më i mbrojtur, pasi ndodhet në pozicion tranzit rrymash ajrore, mes atyre që vijnë nga veriu dhe atyre që vijnë nga jugu.

“Në lidhje me dukuritë ekstreme të motit, përgjithësisht territori i vendit tonë duke qenë se është pranë vijës bregdetare dhe ndikimi i klimës mesdhetare influencon në parametrat dhe ecurinë e temperaturës, por edhe në regjimin hidrik, ne duhet të themi se, në tërësi të gjitha dukuritë ekstreme janë më të kufizuara dhe relativisht shoqërohen me një shkallë intensiteti ose kohëzgjatje më të ulët se sa në pjesë të tjera të kontinentit”, deklaroi Petrit Zorba.

Top Channel