Sanksionet ndaj Rusisë, Merkel: Hiqen nëse implementohet tërësisht marrëveshja e Minskut

08/01/2015 00:00

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka reaguar të enjten duke thënë se sanksionet e BE-së kundër Moskës që lidhen drejtpërdrejtë me ndërhyrjen e saj në pjesën lindore të Ukrainës mund të hiqen, vetëm nëse implementohet në tërësi marrëveshja e Minskut e nënshkruar mes Kievit dhe rebelëve prorusë shtatorin e vitit të kaluar.

Duke folur në një konferencë për shtyp në Berlin, pas vizitës së kryeministrit ukrainas Arseny Yatseniuk, Merkel tha se nuk pret aspak që sanksionet e tjera të BE-së që lidhen me Krimenë të mund të hiqen, pasi kjo gjë do të kërkonte kthimin mbrapsht të aneksimit të atij territori prej Rusisë. Reagimi i sotëm vjen edhe si një përgjigje ndaj deklaratave të Presidentit francez për heqje të mundshme të sanksioneve ndaj Rusisë, nëse vërehet progres në lidhje me krizën në Ukrainë.

“Kam shumë pak shpresa në lidhje me atë front”, tha Merkel. “Sanksionet e tjera janë vendosur në kundërpërgjigje të ndërhyrjes së Moskës së Ukrainën lindore. Nëse përmbushet e gjithë marrëveshja e Minskut, gjë që duhet të jetë e vetmja rrugëzgjidhje e krizës, kjo gjë mund të sjellë edhe tërheqjen e sanksioneve të vendosura vetëm për këtë aspekt. Por, duhet implementuar e tërë marrëveshja e Minskut, përpara se të themi me siguri që sanksionet mund të hiqen”.

Merkel tha gjithashtu se Yatseniuk kishte prezantuar një parashtrim bindës të planeve të tij për reformat në vend. Kancelarja shtoi se vetëm në ditët në vijim do të bëhet e qartë nëse takimi i propozuar me liderët e Ukrainës, Rusisë, Francës dhe Gjermanisë, do të zhvillohet siç ishte parashikuar më herët, në kryeqytetin Astana të Kazakistanit.

Ndërkohë, në emër të BE-së ka reaguar edhe Përfaqësuesja e lartë për Marrëdhëniet e Jashtme, Federica Mogherini, e cila ka thënë se ka disa shenja “të kufizuara” se Rusia është duke ndryshuar qëndrim kundrejt krizës në Ukrainë.

Shefja e BE-së Mogherini, duke folur në një konferencë për shtyp nga Letonia, e cila mban edhe Presidencën e bllokut 28-kombësh, tha se  ajo ka vërejtur “disa shenja të kufizuara pozitive nga pala ruse” në lidhje me krizën në Ukrainë.

Ministri i Jashtëm letonez u shpreh gjithashtu se bisedimet me Rusinë gjatë muajit të kaluar dhanë “disa sinjale” të një qasjeje të re ndaj konfliktit, i cili ka detyruar BE-në të vendosë disa sanksione ekonomike ndaj Rusisë, për shkak të rolit të Moskës në destabilizimin e Ukrainës lindore dhe aneksimit të Krimesë.

Top Channel