Gazetarët kosovarë solidarizohen me kolegët francezë

08/01/2015 00:00

Anëtarët e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës së bashku më përfaqësues të mediave janë solidarizuar të enjten me redaksinë e revistës satirike franceze “Charlie Hebdo”, e cila u sulmua një ditë më parë nga dy persona të armatosur që vranë 12 vetë.

Gazetarët kosovarë janë mbledhur në sheshin Zahir Pajaziti në Prishtinë dhe për të ndarë dhimbjen bashkë me kolegët francezë kanë mbajtur në duar parulla me mbishkrimin “Unë jam Charlie”.

Pjesë e aktivitetit ka qenë edhe zëvendësambasadorja franceze në Kosovë, Lise Moutoumalaya, e cila ka shprehur mirënjohjen e saj për këtë solidarizim të mediave kosovare.

“Dua të them pak fjalë, vetëm dua të falënderoj të gjithë njerëzit, veçanërisht këtu në Kosovë, që shprehin solidaritetin për viktimat dhe familjarët”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetari i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, Zekirja Shabani ka deklaruar se çdo sulm ndaj gazetarëve është përpjekje e dështuar për të mbytur fjalën e lirë.

Ndërkohë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa dhe presidentja Atifete Jahjaga kanë shprehur po gjatë ditës së sotme ngushëllimet e tyre në librin e zisë të vendosur nga Ambasada e Francës në Prishtinë.

“Erdha këtu për të shpërhur ngushëllimet për qytetarët e Francës, për gazetarët dhe policët që u lënduan nga ky akt terrorist. Ne kemi miqësi të përhershme me popullin francez dhe dëshirojmë që këto akte të mos ndodhin as në Francë e as në ndonjë vend tjetër”, ka thënë Mustafa pas nënshkrimit të tij.

Edhe Jahjaga nga ana e saj ka shprehur dhimbjen për jetët e humbura, si dhe ngushëllimet më të thella për lidershipin e Francës, qytetarët e këtij vendi dhe në veçanti familjarët e viktimave.

Top Channel