I detyruar për shkurtime, Pentagoni mbyll disa nga bazat në Europë

08/01/2015 00:00

I përballur me shtrëngimin e buxhetit dhe me një ushtri të ngushtuar, Pentagoni deklaroi gjatë së enjtes se do t’i jepte fund operacioneve në një bazë ajrore në Britani dhe do ta dorëzojë atë – së bashku me 14 baza të tjera në Europë – në kontrollin e qeverive respektive. Një lëvizje kjo që projektohet të sjellë 500 milionë dollarë kursime çdo vit.

Pentagoni tha se do të heqë dorë nga baza “RAF Mildenhall” në verilindje të Londrës, aty ku strehoheshin çisterna, avionë zbulimi dhe avionë të operacioneve speciale, si dhe do të tërhiqnin personelin prej 3200 punonjësish e familjet e tyre përgjatë viteve në vijim.

Reduktimet në “RAF Mildenhall” do të kompensohen pjesërisht më vonë përgjatë kësaj dekade, kur Pentagoni të shtojë 1200 personel dhe 2 skuadrilje të avionëve “F-35” në bazën fqinje të “RAF Lakenheath”, aty ku strehohen aktualisht avionët luftarakë amerikanë të “Krahut të 48”.

Shkurtimet e trupave amerikane në Britani do të kapin shifrën 2000, thotë Pentagoni, më e madhja e lëvizjeve konsoliduese në Europë sa i përket çështjes së personelit. Disa mjedise në Gjermani do të mbyllen gjithashtu, por numri i përgjithshëm i trupave amerikanë pritet të rritet me disa qindra.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel, pranoi se lëvizjet do të shkaktonin humbje të vendeve të punës në kombet e prekura, por tha se ndryshimet janë të domosdoshme për të “ndihmuar shtimin e aftësisë së ushtrisë amerikane në Europë, në mënyrë që të mbështeten sa më mirë aleatët dhe partnerët e NATO-s”.

Rreth 500 personel ushtarak dhe civil amerikan do të tërhiqen edhe nga “Lajes Field” në Azores, duke reduktuar kështu trupat amerikane në Portugali. Një skuadron i kontrollit ajror nga Gjermania do të zhvendoset në Itali, duke rritur forcat amerikane në Apenine me rreth 300 persona.

Lëvizjet në bazat e Europës vijnë në një kohë kur Pentagoni është urdhëruar të reduktojë shpenzimet e projektuara me rreth 1 trilion dollarë gjatë dekadës së ardhshme. Në përpjekje për të ulur kostot, Departamenti i Mbrojtjes i ka kërkuar vazhdimisht Kongresit të mbyllë disa prej ambienteve në Shtetet e Bashkuara, ku kapaciteti i tepërt mendohet të jetë në rreth 20%.

Por, Kongresi i ka rezistuar këtyre sugjerimeve, pasi disa ligjvënës thonë se zyrtarët e Mbrojtjes duhet të shkurtojnë fillimisht ambientet dhe personelin në Europë. Shtetet e Bashkuara kanë më shumë se 64 mijë trupa të stacionuara në Europë, kryesisht në Gjermani, Itali dhe Britani.

Këto lëvizje vijnë edhe për shkak të tensioneve të përkeqësuara mes Rusisë dhe NATO-s, pas aneksimit nga Moska të gadishullit ukrainas të Krimesë, si dhe mbështetjes së Kremlinit ndaj militantëve separatistë prorusë në Lindje të Ukrainës, të cilët kundërshtojnë qeverinë e Kievit.

Top Channel