Hudenisht, shembet me eksploziv godina 6-katëshe

08/01/2015 00:00

INUK ka përmbyllur fazën e dytë të aksionit në komunën e Udenishtit me shembjen e një tjetër ndërtimi shumëkatësh buzë liqenit të Pogradecit.

Një objekt 6-katësh është hedhur në erë në orën 14:00, ndërsa për shembjen e tij sipas të dhënave janë përdorur 44 kg eksploziv i tipit C4.

Pas disa ditë pune, ku forcat xheniere kanë krijuar 600 piketa për vendosjen e lëndës plasëse në 6 katet e objektit, godina është hedhur në erë me shpërthim të komanduar.

Për thuajse 20 minuta në aksin nacional Qafë Thanë-Korçë është bllokuar lëvizja e mjeteve, ndërkohë që shpërthimi i fortë ka rrënuar objektin i cili nuk arriti të hynte në përdorim, pasi ende nuk kishte përfunduar ndërtimin plotësisht.

Objekti në fjalë u shemb pasi ishte një prej ndërtimeve që preken nga projekti për rehabilitimin e vijës liqenore. Ky projekt preku 21 objekte, mes të cilave shtëpi banimi, restorante dhe hotele.

Top Channel