Profili i Rita Sahatçiu-Orës, që kur nisi të bëhej e famshme

08/01/2015 00:00

Rita në botën e filmit – Nëse në Itali, VIP-at shqiptarë të baletit kanë pushtuar ekranet televizive; Eliza Dushku dhe Masiela Lusha kanë arritur deri në Hollivud; në Londër, Rita Sahatçiu Ora ka debutuar suksesshëm në filmin “Spivs”.

Rrëfimi i fillimit të karrierës kinomatografike, studimi në një shkollë private teatrale, pjesëmarrrja në tre seritë e filmit “Harry Poter” dhe synimi i saj me destinacion final Hollivudin.

Rita Sahatçiu Ora ka qenë vetëm 14 vjeçe. E qeshur, me flokë të gjata kaçurrela, që herë-herë detyrohet t’i largojë me dorë kur i zënë sytë. Flet pa aspak drojtje me një shqipe që përpiqet ta flasë rrjedhshëm, paçka se e ka lënë Kosovën që kur ishte ende pa mbushur gjashtëmuajshe.

Mbi të gjitha, biseda jonë me vajzën – e cila ka mahnitur miliona anglezë me interpretimin e saj në filmin “Spivs” dhe në disa filma për kanalin prestigjioz “ITV”, – shoqërohet nga një buzëqeshje, e cila mund të quhet e veçantë, pse jo një dhuratë nga zoti, gjë për të cilën më shumë se kushdo ka nevojë një artiste si ajo.

Nëse për një moment do të ndalesh dhe të mendosh se kujt prej yjeve të Hollivudit mund t’i ngjasojë, nuk mund të gabohesh nëse çon ndërmend Julia Roberts. Ngjashmëria janë flokët, njëkohësisht buzëqeshja është identike me atë të aktores, e cila u bë e famshme me filmin “Gruaja e bukur”.

Takimi – E mbërthyer mirë me një shall në qafë, me zë pak të çjerrët nga një grip që e ka kapur, Rita nën shoqërinë e prindërve qëndron në ulësen e pasme të një Benz-i, me të cilin mbërrin në lagjen “Bayswater”, ku e kemi lënë të takohemi për intervistën.

Pasi jemi ulur në lokalin e disa djemve nga Tirana, ish-pronë e babait të saj, ajo interesohet për detajet e intervistës. Megjithëse ka filluar suksesshëm rrugën e gjatë e njëkohësisht të vështirë të kinematografisë, pranon se është hera e parë që bisedon me një gazetar.

Fillimet në botën e madhe të artit, në të cilën ka trokitur dhe i është hapur dera, Rita tregon se i ka që në shkollën fillore. “Isha në klasën e dytë dhe po përgatisnim programin e Krishtlindjes. Kisha një rol kryesor për të interpretuar, njëkohësisht edhe këndova. Mësuesja ime Suzy Derbi ishte e para, që kuptoi se kisha talent për të interpretuar”, fillon bisedën ajo.

Kaq ka mjaftuar për të vënë më pas në lëvizje prindërit e saj, Besnikun (një biznesmen) dhe Verën (mjeke), të cilët nuk kanë dashur aspak ta humbasin këtë rast. Ata kishin një arsye më shumë për ta inkurajuar vajzën e tyre drejt botës së kinematografisë.

Tradita e artistëve në familjen Sahatçiu duhej pasuar suksesshëm pikërisht nga vajza e tyre. Gjyshi i Ritës, Besim Sahatçiu, është një regjisor i mirënjohur në Prishtinë, i cili tani krenohet me mbesën, pasardhësen e tij, e cila kërkon më shumë nga vetja. Dhe për ta vazhduar suksesshëm rrugën e gjyshit, Rita ka zgjedhur rrugën e shkollimit.

Ajo e pranon që është me fat në këtë drejtim, falë preokupimit maksimal të prindërve, që kanë paguar të shkollohet në një shkollë private teatrale në Londër, e quajtur “Sylvia Young Theatre School”. Për të kaluar pragun e asaj, i është dashur fitimi i një konkursi pranimi, i cili ishte i vështirë.

“Kisha shumë pak eksperiencë kur më morën në testim për pranimin në shkollë”, kujton ajo momentet e testimit. “E pranoj që kisha frikë për të interpretuar një skript, që ma kishin dhënë për të mësuar dhe kënduar. Kur mbarova dhe ia dola mbanë, u ndjeva e çliruar. I thashë vetes: ‘Unë dua të jem dikushi në këtë industri ku dua të futem. Dua të bëhem aktore dhe kam për t’ia arritur’”.

Që nga ai moment kanë kaluar disa vite. Për të tani, vendosmëria e ditës së parë në shkollë ka qenë vetëm fillimi i një pune të mbarë, falë vetë mekanizmit të shkollës që menaxhon talentet e reja si ajo. Rita është e regjistruar në një agjenci prestigjioze të quajtur “Agjencia e fëmijëve aktorë”, e cila ka 800 të tillë.

Fotoja e saj në katalogun e agjencisë, me një paraqitje tipike mesdhetare, ka tërhequr shumë regjisorë anglezë, të cilët e kanë pranuar të luajë në filmat e tyre. Njëri prej tyre, Colin Teague, është ai, i cili nuk hezitoi që t’i japë rolin kryesor në filmin e shkruajtur dhe drejtuar po nga ai vetë, “Spivs”.

Filmi – Padyshim që dhënia e këtij roli për Ritën, atëherë vetëm 12 vjeçe, do të shënohet në memorien e saj si momenti ndoshta më i rëndësishëm i karrierës artistike ku ka hyrë. “Isha e shokuar tërësisht, kur më njoftuan që më kishin zgjedhur mua për rolin e Rozanës në film. Më kujtohet se isha në guzhinë me mamin, kur i tregova. Ishte një gëzim i madh”.

Por, atmosfera e gëzimit për të dhe familjen e saj do të shënonte fillimin e përgatitjeve sistematike për rolin. “Skripti ishte si një libër me shumë faqe – vijon Rita, – të cilin më duhej ta mbaja poshtë jastëkut edhe kur flija. Ndërsa mami ose babi, sipas kohës, do më çonin me makinë te sheshet e xhirimit”.

Roli i Rozanës në “Spivs” ka të bëjë me atë të një vajze, e cila së bashku me vëllain e saj Christos janë trafikuar nga mafja ruse në Angli, nga ku më pas merren në mbrojtje nga Jack, që luhet nga aktori i mirënjohur anglez Ken Stott, i cili ka rolin e një xhentëllmeni mes disa kriminelëve.

Filmi është shfaqur në të gjithë Anglinë në fund të shtatorit 2006 dhe është pritur mirë nga kritika. Vetë Rita thotë se Ken Stott, përpara kamerës, vetëm disa sekonda para se të fillonte interpretimin, e bënte për të qeshur dhe duhej ta përsëriste përsëri. “Ja kalonim shumë mirë gjatë xhirimeve. Unë dhe aktori tjetër, edhe ai i moshës sime, ishim të vëtmit fëmijë në film. Të gjithë ishin të rritur dhe na përkëdhelnin”, shprehet Rita për marrëdhëniet me aktorët gjatë xhirimeve.

Të tjerët – Vetë Stott, për rolin e tij së bashku me Ritën, është shprehur se “kishim pak kohë për të xhiruar. Ne kemi qeshur shumë gjatë tyre. Rita dhe Christos ishin të mrekullueshëm dhe u përgjigjëm mirë kërkesave të regjisorit. Ata u përqendruan tërësisht dhe, përpara se kamera të fillonte së regjistruari, i gjeti ata në formë të mirë së interpretuari”.

Në film luajnë edhe disa nga aktorët më të njohur anglezë, ku veçohet komiku Jack Dee, së bashku me Linda Basset, Elisabeth Berrington, Paul Kaye dhe Roshan Seth. Megjithëse filmi nuk pati një ceremoni “alla hollivudjane”, me tapet të kuq të një premiere të madhe, kjo nuk frenoi aspak miliona anglezë për ta ndjekur atë në kinema, madje të përzgjidhet nga festivali i filmit “Noting Hill Film Festival”, si një ndër 10 filmat më të mirë të vitit në Angli. Tani producentët e filmit “Carnaby Production” po bëjnë shpërndarjen e tij në Amerikë dhe Europë. Ndërkohë që në janar 2007 filmi nisi të shitej në DVD.

Harry Poter dhe ITV – E kush nga bashkëmoshatarët e saj nuk do të kishte dëshirë të ishte pjesë e filmit “Harry Poter”, që ka bërë për vete edhe të rriturit, duke shënuar një shikueshmëri të madhe? Rita Sahatçiu Ora ka qënë e pranishme në dy episodet e para, duke iu bashkëngjitur fëmijëve që janë pjesë e këtij filmi, madje aventura e saj në këtë film nuk mbaron me kaq.

Ajo rrëfën se në pjesën e tretë të tij, që do të titullohet “Goblet of fire”, ajo është atje, madje kësaj radhe shumë afër aktorit kryesor Daniel Radkliff. Nuk e fsheh ambicien për të pasur një rol kryesor, por e kupton që është ende herët dhe kjo e bën më shumë kurajoze, që një ditë të mbërrijë atje ku dëshiron në një rol kryesor, duke deklaruar se “gjatë xhirimeve e shikoj aktoren Emma Bunton në rolin kryesor dhe zemra më rreth shumë ato momente. Dua të jem ajo. Si dihet, ndoshta një ditë… Më pëlqen shumë ky film”.

E pa mbaruar mirë xhirimet e “Harry Poter” për Ritën,  të tjera propozime rolesh nuk kanë pasur së ndaluri. Kanali televiziv “ITV”, i dyti më i madh në Angli pas BBC i shquar për dramat televizive, e ka angazhuar atë në dy filma: “Bombshell” dhe “The Brief”. Në këtë të fundit, ajo ka rolin kryesor të një vajze, që është akuzuar padrejtësisht si vrasëse dhe më pas është gjetur fajtore nga gjykata e fëmijëve.

Hollivudi – E nëse ofertat nuk kanë të mbaruar, Rita – me mbarimin e shkollës, në të cilën shokët dhe shoqet e klasës janë krenare për të, – thotë se do të përzgjedhë një shkollë dramaturgjie, duke mos lënë mënjanë karrierën e nisur si aktore.

Pyetjes se cila është aktorja që pëlqen më shumë dhe kërkon t’i ngjajë, ajo përgjigjet. “Julia Roberts, më pëlqen e qeshura e saj e veçantë dhe natyrale, sidomos në filmin “Gruaja e Bukur”. Është për t’u admiruar. E dua shumë”.

Ëndrra hollivudjane për ish-14-vjeçaren Sahatçiu nuk mund të ishte aspak utopi dhe e parealizueshme. “Patjetër që dua ta shikoj veten një ditë atje, si aktore. Kam kohë, le të presim”, shprehet ajo pas pyetjes se ku kërkon Rita ta shikojë veten pas dhjetë vjetësh.

Rita, me talentin që ka për të luajtur në film, të qeshurën e njëjtë me idhullin e saj Julia, mund të komentohet pa frikë se që tani ka filluar të bëhet një “Julia Roberts” shqiptare. Dëshira e të gjithëve është që ajo të bëhet po aq e famshme sa ajo, pse jo destinacioni saj  të mos jetë “shtëpia” e madhe e filmit me emrin Hollivud.

Shqiptarët e Anglisë e meritojnë një aktore të tillë, për të treguar se mes tyre ka edhe yje kinematografie. Duhet që të ndodhë ajo që realizuan me mund Kledi Kadiu, Ambeta Toromani, Olti Shaqiri dhe Leon Cino në Itali, ndërtimin e një imazhi tjetër për shqiptarët.

Top Channel