Stomatologia që zgjodhi të bëhej grimiere profesioniste

08/01/2015 00:00

Gresa Kotri ishte një stomatologe shumë e mirë! Menjëherë sapo u diplomua, në vitin 2006, filloi të punonte në profesionin e saj. Vetëm një vit më pas u bë ndihmëspedagoge e lëndës “Modelim i dhëmbëve” në një universitet privat. Eksperiencë që zgjati 3 vjet.

Pavarësisht se ajo ishte e zonja në atë profesion, kishte një vend pune që i siguronte të ardhura, kishte kuptuar diçka shumë të rëndësishme: Ky nuk do të ishte profesioni, që do të ushtronte për gjithë jetën! Ajo dëshironte të bëhej artiste “make up”-i.

Vendimi për të ndryshuar profilin e punës surprizoi jo pak ata që e njihnin Gresën dhe njihnin gjithashtu edhe përkushtimin e saj ndaj stomatologjisë.

“Unë kam qenë një ndër studentet e Gresës, më ka dhënë mësim në vit të dytë. Ka qenë një ndër pedagoget e mia të preferuara, pasi ishte shumë e përkushtuar e kishte durim. U çudita kur ajo vendosi të ndryshojë profil dhe tani është një ndër pacientet e mia”, tha Ersida Calja.
Edhe për vetë Gresën nuk ishte një vendim i lehtë për të lënë gjithçka kishte investuar deri në atë kohë, e për t’u hedhur në krahët e një profesoni tjetër krejt të ndryshëm nga i pari. Duhej të niste menjëherë një kurs intensiv për të perfeksionuar profesionin e ri, që në fakt ishte një nga ato ëndrrat e fshehura në sirtaret e fëmijërisë, i cili trokiste çdo ditë e më shumë, edhe pse kishte veshur tashmë bluzën e bardhë të stomatologes!

“Në fillim ishte shumë e vështirë, pasi të gjithë – familjarë e miq – më kundërshtonin përse unë do të lija stomatologjinë, por unë i besova instiktit dhe mendoj se kam bërë gjënë e duhur”, shprehet Gresa.

Top Channel