Në vitin 1991, kur u nis drejt Greqisë për një jetë më të mirë, ishte vetëm 19 vjeç. Theodhora Birbo, sapo kishte përfunduar shkollën e mesme pa një profesion, por me ëndrra dhe ambicie të mëdha.

Në emigrim iu desh ta niste me punë të thjeshta për të mbijetuar, por  sapo u stabilizua rendi drejt ëndrrës së saj: artit të bukurisë. Ajo nisi me disa kurse të parukerisë, estetikës e baletit, e pas një dekade arriti të shijonte rezultatin e punës së saj. Nga nxënëse u bë mësuese në shkollën që e administronte vetë.

Gjithçka shkonte mirë deri një vit më parë. Kriza ekonomike ndikoi në vendimin, që ajo do të merrte për t’u rikthyer sërish në Shqipëri. Por, këtë herë, edhe pse në vendin e saj, rifillimi ishte i vështirë. Më tepër për shkak të Josifinës, vajzës së saj 12-vjeçare, që ende nuk po mësohet me jetën e re.

“Më vështirësonte gjithçka gjuha dhe Letërsia, sepse nuk dija të shprehesha dhe të flisja kaq mirë, por me kalimin e kohës ia kam marrë dorën. Është pak e vështirë për mua sepse më mungojnë shoqet, shkolla ime atje në Greqi dhe shumë gjëra”, thotë Josifina.

Një sfidë e madhe për fillimin e ri, por kësaj here me më shumë siguri dhe njerëz, që i mbështesin.

Top Channel