Kosovë, shtyhet rivarrimi i eshtrave të Isa Boletinit

08/01/2015 00:00

Pak ditë para rivarrimit të eshtrave të heroit kombëtar Isa Boletini,
sërish ceremonia e parashikuar të mbahej më 12 janar është shtyrë.
 

Komisioni qeveritar që po merret me organizimin e ceremonisë e ku bëjnë pjesë edhe familjarë të heroit Boletini, kanë vendosur që për shkak temperaturave shumë të ulëta, ceremonia të shtyhet për një datë tjetër.
 
Nipi i heroit Isa Boletini, Gazmendi, ka treguar për Top Channel përmes telefonit se shtyrja ka ndodhur për shkak borës së madhe dhe bllokimit të rrugës që con në vendin ku ishte planifikuar të mbahej ceremonia.
 
Gazmend Boletini tha se në takim me ministrin e ri të Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demollin së shpejti do të vendosin nëse rivarrimi i Isa Boletinit do të bëhet më 17 shkurt ose më 30 qershor.
 
Nuk është e para herë që ceremonia shtyhet, sic ka ndodhur rëndom vitet  e fundit. Bashke me vendosjen e datave dhe anullimit te rivarrimit po me aq problematik ka qene edhe identifikimi i eshtrave te heroit.
 
Procesi është shoqëruar me dilema mbi perkatesine e eshtrave, aq sa disa herë ministria e kulturës ka kërkuar analiza shtesë.
 
Pas shumë dyshimesh dhe analizave pa rezultate bindëse,  drejtori i Departamentit Ligjor në Kosovë, Arsim Gërxhaliu ka vendosur që identifikimin e eshtrave të heroit ta bëjë me metoda klasike.  Në një intervistë për Top Channel Gërxhaliu sqaron metodologjine dhe thote se për shkak të vjetërsisë 100 vjeçare të eshtrave, ka qenë e pamundur që t’i nxirret profili i plote gjenetik.

“Analizat e ADN-së kanë qenë në njëfarë forme paksa të vështirësuara për shkak se pjesët kockore për një kohë të gjatë kanë qenë të fshehura. Dhe me njëfarë forme nuk kanë qenë të konzervuara në atë formë si duhet dhe kështu që pjesa organike ka qenë paksa e vështirësuar të nxirret në profilin për të cilin ka nevojë laboratori, e aq më tepër që pjesë kockore të cilat janë si në rastin konkret 100 vjeçare dhe janë të formës spungioze dhe i mungon relativisht masa e cila është e nevojshme që së paku 4 deri në 8 gram të nxirren për ta nxjerrë profilin e plotë gjenetik”, tha Gërxhaliu.

Ndërsa gjatë procesit klasik të identifikimit të eshtrave, Gërxhaliu thote se kanë krahasuar të dhënat e para vdekjes, të dhënat pas vdekjes, të gjeturat tjera si dhe epitafin mbi varr dhe pas krahasimeve të të dhënave del që eshtrat janë të Isa Boletinit dhe të nipit të tij.

Dyshimet me te medha per shume kohe jane nxitur nga fakti se në grupin e eshtrave të ekzaminuara  ka pasur edhe pjese kockore femrash dhe eshtra të tre nga gjashtë familjarët e Isa Boletinit, por për të cilat Gerxhakiu thone se nuk janë të përfshirë në ekzaminimin përfundimtar.

“Grupin tjetër nuk e kemi punuar sepse nuk është i tërë grupacioni. Meqenëse disa eshtra mungojnë dhe ato tri femrat duhet të largohen, bëhet fjalë edhe për tre anëtarë tjerë e në fakt do duhej të ishin gjashtë. Atëherë e kemi lënë që brenda atij grupacioni prej tre personave t’i takojnë familjes për të gjashtë personat që mos të mungojnë nga grupacioni”, tha Gërxhaliu.

Rezultatet finale të nxjerra nga doktori Arsim Gërxhaliu i kanë pranuar zyrtarisht edhe familja e heroit kombëtar Isa Boletini por edhe Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sporteve.

Top Channel