Arsimi në gjuhën shqipe në Maqedoni do ta pësojë dëmin më të madh nga reformat me të cilat qeveria pretendon se do ta avancojë nivelin e arsimit.

Kështu vlerëson partia opozitare PDSH, sipas të cilës qëllimi i vërtetë i reformave është politizimi i arsimit dhe suprimimi i autonomisë së universiteteve.

“Me zgjidhjen që ofrohet nga ana e qeverisë, që në rastin konkret përfaqësohet nga një ministër shqiptar, dëmin më të madh do ta pësojë pikërisht arsimi në gjuhën shqipe. Vlerësojmë se me anë të këtyre ligjeve i jepet goditja përfundimtare arsimit në shqip, që është strategji e vjetër anti-shqiptare”, ka deklaruar deputeti Bekim Fazliu.

Grupi parlamentar i PDSH-së ka përgatitur 32 amendamente për të evituar dëmet që mund t’i bëhen arsimit me pakon e projekt/ligjeve për reforma që i ka propozuar Ministria e Arsimit.

Me këto amendamente PDSH do të kërkojë që në vend të studentëve, provimit shtetëror që e propozon qeveria t’i nënshtrohen presidenti i vendit, kryeministri, kryetarët e partive dhe të gjithë bartësit e funksioneve shtetërore.

Ata po ashtu kërkojnë të mbahet llogari edhe për përdorimin e gjuhës shqipe. Për dallim nga opozita, deputetët e BDI-së vlerësojnë se miratimi i ligjeve që kanë të bëjnë me reformat do të ndikojë në ngritjen e cilësisë në arsim. Megjithatë, pas reagimit të profesorëve dhe studentëve, deputetët e mazhorancës kanë propozuar mbi 30 amendamente.

“Qëllimi është të kemi tekst të ligjeve që do të jenë të zbatueshëm dhe do të ndikojnë në cilësinë e arsimit fillor, të mesëm dhe atij universitar”, ka deklaruar Ramiz Merko nga BDI.

Shqyrtimi i amendamenteve do bëhet të premten. Mazhoranca është e vendosur të miratojë gjatë këtij muaji pakon e ligjeve për reforma në arsimin fillor dhe atë të lartë. Studentët dhe profesorët përmes protestave i kanë bërë thirrje qeverisë të heq dorë nga reformat e paralajmëruara.

Top Channel