Programet satirike të Top Channel solidarizohen me “Charlie Hebdo”

08/01/2015 00:00

Tre programet kryesore satirike të Top Channel, “Fiks Fare”, “Portokalli” dhe “Pop Channel” janë solidarizuar me dhimbjen e botës së qytetëruar për atë çka ndodhi një ditë më parë në Francë.

“Ditën e mërkurë në Paris, 12 vetë u vranë sepse një gazetë satirike bënte humor që disa grupe të caktuara e konsideronin fyes. Sigurisht, të gjithë shohim e dëgjojmë çdo ditë lajme të rënda që ndodhin në botë, por ky i fundit ka veçanërisht rëndësi për ne, që në punën e përditshme vëmë në lojë figura politike, publike e fetare”, thuhet në një reagim.

Redaksitë e tre emisioneve shprehen se, e marrin për të mirëqënë të drejtën për të shpotitur të paprekshmit, madje edhe ata që dikush i konsideron të shenjtë.

“Por tragjedia e djeshme në Francë na kujtoi me shumë qartësi se kjo është një e drejtë për të cilën ka disa njerëz në botë që janë gati të japin edhe jetën”, thuhet në deklaratë.

Prandaj, në emër të të gjithë punonjësve që angazhohen në realizimin e tre programeve, tre redaksitë shprehin keqardhjen për sa ndodhi, si edhe ngushëllimet për familjet e kolegëve francezë.

“Sot jemi të gjithë Charlie! Të godasësh sot një media që ironizon pushtetin ekonomik, politik apo fetar nuk do të thotë të derdhësh vetëm plumba mbi gazetarët e saj. Formë vrasjeje është edhe mbyllja e gojës përmes shantazhit, presionit indirekt, blerjes, korruptimit dhe vrasjes së ngadalte”, thotë deklarata.

“Për shumëkënd, jeta konsiderohet një dhuratë e Zotit, por askush nuk është Zoti mbi tokë dhe nuk ka askund të drejtë të marrë asnjë jetë në emër të Zotit. Ne dënojmë sot manifestimin brutal të intolerancës ndaj së vërtetës, por nuk do të heshtim për ta denoncuar dhe shpotitur çdo formë të kësaj intolerance”, mbyllet deklarata e tre programeve satirike të Top Channel, “Portokalli”, “Fiks Fare” dhe “Pop Channel”.

Top Channel