Rama: Po lëvizim ujin e qelbur prej vitesh

08/01/2015 00:00

Ngjarjet më të fundit të cilat opozita i ka vendosur në fokus të deklaratave të saj këtë fillimviti, si videoja në QSUT, atë me truprojën e ministres Nikolla, përfshirë largimin nga puna të një nëpunëse në dikasterin e ministrit Veliaj, kryeministri Edi Rama i ka vendosur një emërues të përbashkët: “Furtunë në gotë”.

Rama paralajmëron po të njëjtin fat edhe për akuzat e opozitës se një bandë kriminale në kryeqytet ka lidhje me qeverinë kur thotë:

“Shumë shpejt do ta shihni edhe se si, po njësoj, në gotë është ngritur dhe furtuna mbi ngjarjet e fundit kriminale në Tiranë. Vetëm pak durim, sepse në këtë rast ka një hetim që kërkon kohën e vet.  Po bëjmë reforma të thella. Po lëvizim ujëra të ndenjur e të qelbur prej vitesh. Po prekim interesa të mëdha dhe struktura të konsoliduara prej kohësh për së prapthi”, deklaron Rama.

Rama në këtë koment analizon edhe qëndrimet e opozitës, përfshirë shqetësim e ngritur nga ata që preken prej reformave.

“Natyrshëm, kundërshtarët politikë po dalin edhe më shumë nga binarët e arsyes. Natyrshëm kundërshtarët mediatikë po hidhen edhe më lart përpjetë se zakonisht për ta bërë tra çdo qime. Krejt natyrshëm po krijohen edhe pakënaqësi mes atyre që u është prishur një mënyrë e caktuar bashkëjetese me shtetin e me ligjin, apo mes atyre që pas njëzet vjet zhgënjimesh i duan gjërat të zgjidhen të gjitha me shkopin magjik. Sepse ne nuk qeverisim për pushtetin tonë, po e kemi vënë pushtetin në shërbim të interesave të kombit tonë, të vendit tonë, të njerëzve të këtij vendi. Të femijëve të Shqipërisë në radhë të parë”, nënvizon Rama.

Në fund të komentit, Rama shkruan: “Kurajo, Shqipëria po rilind dhe siç nuk ka lindje pa dhimbje, as rilindje pa sakrifica e vështirësi nuk mund të ketë!”.

Top Channel