Ambasadori francez: Terrorizmi nuk ka lidhje me myslimanizmin

08/01/2015 00:00

Ambasadori i Francës në vendin tonë, Bernard Fitoussi ka dënuar ashpër sulmin ndaj gazetarëve të revistës “Charlie Hebdo” një ditë më parë, duke e cilësuar atë një sulm jo vetëm ndaj mendimit dhe fjalës së lirë, por një goditje për vlerat e Perëndimit.

Diplomati francez thotë në një intervistë për Top Channel se uniteti që ekziston mes kombeve të lira, solidariteti dhe ndëshkimi është përgjigjia më e mirë për ekstremistët.

Ai thotë se çdo shtet i lirë, pas kësaj ngjarjeje duhet të ndihet i kërcënuar, ndërsa Europa, shton ai, duhet të mësoje nga Shqipëria për mënyrën sesi jetohet në paqe fetare dhe kulturore.

Top Channel: Zoti ambasador, cili është mesazhi juaj i parë pas sulmit në revistën “Charlie Hebdo”?

Bernard Fitoussi: Mesazhi im i parë është mesazh dhimbjeje për familjarët e viktimave, gjithë personave të plagosur dhe gjithë atyre që u prekën në një mënyrë ose tjetër nga ky akt i tmerrshëm barbar. Mesazhi im i dytë është për gazetarët, që ishin shënjestra e këtij atentati me qëllim që t’i bëjnë të heshtin, por ata nuk do t’ia arrijnë kurrë këtij qëllimi. mesazhi im i tretë është për miqtë tanë shqiptarë, për të gjithë përfaqësuesit e ambasadave, diplomatët që janë në Shqipëri, për mesazhet e tyre të solidaritetit dhe ngushëllimeve.

Top Channel: Zoti ambasador, dje u bëmë dëshmitarë të një akti barbar. A do ta cilësonit një sulm ndaj medias apo Perëndimit dhe vlerave të tij?

Bernard Fitoussi: Qëllimi i këtij akti ishte sulmi për lirinë e mendimit, shprehjes dhe vlerave që Evropa ka sot. Ai nuk është një sulm kundër Francës, por një sulm kundër njerëzimit nga njerëz që nuk kanë asnjë ndjesi humanitare ndaj vlerave të Europës.

Top Channel: Pas ngjarjes është hapur debati mes analistëve nëse duhet të mbërrihet tek ironizimi i profetëve apo liderëve fetarë?

Bernard Fitoussi: “Charlie Hebdo” e ka marrë emrin nga “Harakiri Hebdo”. Ajo është një revistë me histori 60-vjeçare. Kjo revistë në mënyrë satirike ka mbrojtur lirinë e mendimit në mënyra të ndryshme. Në Francë nuk ka kufi për lirinë e mendimit. Atë deshën të na i imponojnë ata njerëz që vranë miqtë tanë gazetarë. Ata që deshën të vrisnin lirinë tonë të të menduarit. Ai ishte një sulm kundër të gjitha lirive tona.

Top Channel: Ngjarja e djeshme tregoi se kërcënimi është prezent jo vetëm në Francë por edhe në Europë e më gjerë. Cili është mësimi që duhet të nxjerrë Europa pas saj?

Bernard Fitoussi: Franca dhe Europa janë përballur edhe në të kaluarën me një valë atentatesh dhe aktesh terroriste. Mund të kujtoj vitet ‘80 ose ‘90 në Spanjë, në Britaninë e Madhe në Holandë. Nuk është një terrorizëm i ri. Unë refuzoj të pranoj idenë se bëhet fjalë për një terrorizëm të ri, një terrorizëm i dalë nga fraksione të ndryshme apo që del nga grupime kombëtare të ndryshme. Ky është një lloj terrorizmi që kërkon të ndajë dhe përçajë në vlerat tona që ne besojmë. Ajo që ne mësojmë nga këto ngjarje është fakti se kemi një armë të fuqishme kundër terrorizmit. Arma e parë është uniteti mes nesh, e dyta është drejtësia, përfshirë policinë. E treta, solidariteti ndërkombëtar e në këtë rast ai europian.

Top Channel: Zoti ambasador, sa mendoni se kanë ndikuar kushtet sociale-ekonomike në Europë për të rritur dhe stimuluar ekstremizmin?

Bernard Fitoussi: Absolutisht jo. Duhet të kuptoni që sot nuk ka arsye të mira apo të këqija, justifikime të mira apo të këqija pro terrorizmit, Europa ka njohur vështirësi ekonomike edhe më të rënda se kjo. Këta njerëz duan të na bëjnë ne të besojmë, duan të bëjnë njerëzit të besojnë se ka arsye të mira apo të këqija që ata ndërmarrin akte të tilla terroriste. Absolutisht jo. Bota sot nuk është e ndarë në njerëz që kanë probleme ekonomike dhe në njerëz që nuk kanë probleme ekonomike, por është e ndarë në njerëz që duan përparimin prosperitetin, mirëqenien dhe një jetë në paqe të gjithë së bashku.

Top Channel: Sa të kërcënuar e shihni Shqipërinë veçanërisht dhe Ballkanin në përgjithësi pas ngjarjes së djeshme? A është ky rajon i kërcënuar?

Bernard Fitoussi: Do i përgjigjem pyetjes suaj, por më parë do të them diçka. Është me shumë rëndësi të theksoj atë se çfarë Shqipëria ka mundësi të na mësojë ne, është harmonia kulturore dhe fetare me të cilën jetohet në Shqipëri. Gjithmonë bëhet pyetja çfarë duhet të mësojë Shqipëria nga Europa,si do ta ndihmojë Europa-Shqipërinë, por nga ana tjetër pak shtrojnë pyetjen e kundërt. Çfarë mund t’i mësojë Shqipëria Europës? Shqipëria ka shumë ç’mund t’i mësojë Europës, sidomos në mënyrën sesi jetohet në paqe së bashku. A është Shqipëria e kërcënuar ose Ballkani? Të gjitha vendet e lira, të pavarura dhe krenare duhet të ndihen të kërcënuara. Synimi i terrorizmit është të frikësojë, por nuk është e lehtë të frikesohen Shqiptarët.

Top Channel: Mendoni se do ketë paragjykime për komunitetin mysliman?

Bernard Fitoussi: Do përgjigjem me një anekdotë. Në homazhet që bëmë tek Piramida erdhi një i moshuar dhe me një frëngjishte jo shumë të mirë më tha ‘zotëri, unë jam mysliman. Jam i shokuar dhe jam solidar’. Kjo do të thotë gjithçka, se është e pamundur të ketë një amalgamë në këtë çështje. Terroristët apo kriminelët nuk janë myslimanë, as të krishterë, as hebrenj, as mendimtarë të lirë. Ata janë terroristë dhe kriminelë. Do të ishte një budallallëk të përziheshin me grupe fetare të ndryshme.

Top Channel