PD akuzon sërish Ramën: Ka mbetur t’i japë zyrë Shullazit në qeveri

08/01/2015 00:00

Partia Demokratike akuzoi sërish kryeministrin se ka ndërtuar alibi për përplasjen e bandave pak ditë më parë në kryeqytet. Ndryshe nga një ditë më parë, Sekretari i përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani, ia përmendi sot emrin Emiljano Shullazit, për të cilin tha se Rama ka mbetur që t’i japë vetëm zyrë në qeveri.

“Është e qartë se qeveria, Edi Rama e ministri i tij, kanë vendosur të mos bëjnë zë për një nga ngjarjet kriminale më të rrezikshme të kohëve të fundit, përplasjen e përgjakshme të bandave në mes të Tiranës. PD thekson se, është fakt – tani i pranuar edhe nga zyrtarët – se kemi një alibi për Emiliano Shullazin, i cili sipas policisë është gjetur i pastër, i paarmatosur. Partia Demokratike, duke e konsideruar qeverinë dhe krerët e Policisë si të përfshirë në këtë histori, në asistencë të vazhdueshme ndaj bandës kriminale, i kërkon Prokurorisë që të zbardhë ngjarjen e të nxjerrë përgjegjësitë. Nëse banda kriminale e kreu i saj, për shkak të lidhjeve që ka me ministrin e kryeministrin, i shpëton ligjit edhe pas ngjarjes së fundit me përleshje të përgjakshme e me viktima, atëherë kanë rënë të gjtiha garancitë për rend e siguri publike në vend. PD është e bindur se, nëse kjo ndodh, Emiliano Shullazin nuk duhet ta kërkojmë më në rrugën e Kavajës, por në zyrat qendrore të qeverisë”, tha Ristani.

Top Channel