Topi: Ky parlament, problematik. Opozita e paqartë, qeveria të jetë më e matur

08/01/2015 00:00

Ish-Presidenti dhe kreu aktual i Frymës së Re Demokratike, Bamir Topi e cilësoi parlamentin aktual si atë me më shumë probleme në historinë e demokracisë shqiptare. 

Zoti Topi nuk i kurseu kritikat për opozitën dhe politikën e saj të paqartë, siç ai e cilësoi, ndërkohë që kërkoi edhe nga qeveria të tregohet më e matur në këtë periudhë krize.

“Është parlamenti ndoshta me problemet më të mëdha në historinë e demokracisë shqiptare. Një parlament që nuk ka funksionuar, madje nuk funksionon në mënyrë normale. U desh që të vinin përfaqësues nga Europa për t’i shpëtur fytyrën 2-3 vetave nga partitë parlamentare të opozitës, që dolën pa ndonjë shkak thelbësor dhe donin të futeshin, jo se donin të futeshin, kërkonin të futeshin në parlament sepse ishte problemi i mandateve, i rrogës. Imagjinoni sa poshtë ka rënë kjo situtatë. Vendi ka nevojë për një opozitë të konsoliduar. Pse paska nevojë vendi vetëm për një të majtë të bashkuar? Pse s’paska nevojë vendi për një të djathtë të konsoliduar? Kush është ai që në mënyrë të vazhdueshme e ka minuar këtë shtrat”, deklaroi Topi.

Top Channel