Valdes jo më lojtar i lirë, kalon te United

08/01/2015 00:00

Manchester United ka arritur të nënshkruajë me ish-portierin e Barcelonës, Victor Valdes, duke e marrë atë me parametra zero. Valdes është stërvitur me “djajtë e kuq” që prej tetorit, si pjesë e përpjekjeve të tij për t’u rikuperuar nga një dëmtim në gju, të cilin e pësoi në mars.

Spanjolli duket se është rikthyer në formën e duhur sportive, ndaj dhe United ka konfirmuar nënshkrimin e një marrëveshjeje mes lojtarit dhe 20 herë kampionëve të Anglisë.

“Manchester United njofton me kënaqësi se Victor Valdes ka firmosur një kontratë 18-mujore me opsionin për ta rinovuar edhe për një tjetër vit”, lexohej në deklaratën e lëshuar nga klubi.

Valdes u largua nga Barça verën e vitit të kaluar pas një periudhe 12-vjeçare me gjigantët katalanas. Ai është shpallur 6 herë kampion i Spanjës, 3 herë triumfues në Champions, si dhe ka ngritur dy herë trofeun e Kupës së Mbretit në Spanjë, gjatë aktivizimit me “blaugranat”.

E megjithatë, trajneri Louis Van Gaal ka konfirmuar se ai do të jetë zgjedhja e dytë në portë, pas De Gea-s, një tjetër portier spanjoll që duket se po shkëlqen tek United.

Top Channel