Nikolla: Konkurset transparente, baza për punësimin

08/01/2015 00:00

Të paktën 40 për qind e 8.100 mësuesve të cilët morën pjesë në testimin kombëtar janë vlerësuar me rezultate të larta, çka u mundëson atyre një vend pune në sistemin arsimor.

“Kjo do të jetë kthesa më e madhe në luftën ndaj korrupsionit dhe vendosjes së cilësisë në shkolla. Reforma ka në themel tre parime të rëndësishme: meritën, konkurrencën dhe transparencën”, deklaroi ministrja e Arsimit, Lindita Nikolla.

Gjatë një takimi që zhvilloi në Shkodër me mësues dhe prindër, Nikolla tha se konkurset transparente do të jenë baza për punësimin e çdo mësuesi.

“Fillimisht mësuesit do të mbyllin këtë vit shkollor dhe më pas do të kalojnë në statuset definitive, për të marrë konsensusin dhe vendimmarrjen e prindërve”, saktësoi Nikolla.

Gjatë këtyre javëve pritet emërimi i 2.082 mësuesve, të cilët konkuruan në 25 profile dhe shkarkimi i mësuesve të cilët janë jashtë profilit apo pa arsimin përkatës.

Mësohet se rezultatet më të larta në këtë provim, i cili do të zhvillohet çdo vit, janë arritur në qytetin e Tiranës, në qarkun e Fierit dhe atë të Lezhës. Ndërsa më të ulëtat në Tiranën-qark, në Elbasan dhe Gjirokastër.

Top Channel