Mitingje solidariteti në Athinë e Selanik për ‘Charlie Hebdo’

08/01/2015 00:00

Qindra qytetarë grekë janë mbledhur jashtë ndërtesës së Institutit Francez në Athinë, në një miting solidariteti për viktimat e sulmit terrorist në redaksinë e revistes satirike franceze “Charlie Hebdo”, në Paris, ku u vranë 12 persona.

Në protestë kanë marrë pjesë deputetë, politikanë, artistë, biznesmenë, anëtarë të komunitetit francez në Athinë, si dhe qytetarë të ndryshëm. Policia është detyruar të bllokojë për disa minuta rrugët përreth zonës ku zhvillohej mitingu.

“Përballë një sulmi mbi shoqërinë, mbi artin dhe civilizimin, që na çon prapa në epokën e gurit, nuk mund të mbetesh indiferent. Ky poster simbolizon se çdo ditë, çdo orë do të ketë një Charlie të ri. Është një çështje që do të ketë gjithnjë përplasje, por në fund do të fitojë civilizimi”, deklaroi Harris Lales nga “Reuters”.

Protestuesit kanë ngritur lart në shenjë simbolike lapsa dhe stilolapsa dhe kanë mbajtur në duar pankartat në të cilat shkruhej  “Unë nuk urrej, unë nuk kam frikë”.

Prej ditës së djeshme të gjitha forcat politike progresive, sindikatat e gazetarëve dhe Komuniteti i Myslimanëve në Greqi kanë dënuar aktin terrorist në zemër të Parisit.

“Ne grekët e kemi ndjerë jashtë mase atë që ndodhi në Paris dje. Ishte një sulm kundër lirisë së fjalës, demokracisë dhe vlerave tona”, tha Dora Bakojanis, deputete e Demokracisë së Re.

Një miting i ngjashëm solidariteti u zhvillua edhe para Institutit Francez në Selanik, ku midis qytetarëve janë shquar përfaqësues nga të gjitha forcat politike si dhe kryebashkiaku Jannis Boutaris, që në deklaratat e tij mes të tjerash ka theksuar se ky akt terrorist duhet të përballohet me qetësi dhe urtësi nga të gjitha shtetet europiane.

Top Channel