Shefi i MI5: ISIS po përgatit masakra në vendet perëndimore

09/01/2015 00:00

Shefi i shërbimeve sekrete të brendshme në Britaninë e Madhe ka paralajmëruar se rreziku për një sulm terrorist në Mbretërinë e Bashkuar është rritur dhe MI5-a nuk mund të ndalojë çdo plan të terroristëve.

Duke folur pas sulmit ndaj revistës franceze “Charlie Hebdo”, Andrew Parker tha se në muajt e fundit MI5-a në bashkëpunim me policinë kanë shmangur tre atentate terroriste në Britani.

Ai tha se numri i britanikëve që kanë udhëtuar për në Siri është rreth 600. Deklaratat e tij vijnë pasi në kufirin franko-britanik janë rritur masat e sigurisë pas sulmit në Paris ku humbën jetën 12 persona.

Agjencia kufitare britanike ka intensifikuar kontrollet ndaj pasagjerëve, automjeteve dhe mallrave që vijnë nga Franca, ka njoftuar më herët sekretarja e Punëve të Brendshme, Theresa May.

Lëvizja në fjalë ishte një “masë paraprake kujdesi” dhe jo pasojë e ndonjë informacioni për një rrezik të mirëfilltë.

Zoti Parker, që u emërua drejtor i përgjithshëm i MI5-s në mars 2013 paralajmëroi se Britania e Madhe po përballet me “komplote më komplekse dhe më ambicioze” nga ekstremistët.

“Atentati në Paris ishte një ngjarje e tmerrshme që na kujtoi qëllimet e atyre që duan të na bëjnë keq”, tha ai.

Ndërkohë, në Francë gjuetia për kapjen e dy terroristëve që sulmuan redaksinë e satirikes “Charlie Hebdo” kanë hyrë në ditën e tretë.

Policia franceze, e shoqëruar nga një prani e theksuar e forcave speciale, i ka përqendruar kërkimet në zonën rurale Picardy, në veri-lindje të Parisit, ku dy të rinjtë franko-algjerianë më herët grabitën një pikë karburanti.

Top Channel