Masakra në Francë, PE homazh për viktimat

09/01/2015 00:00

Flamujt gjysmë – shtizë dhe një minutë heshtje u mbajt në mesditë
përpara institucioneve europiane në nderim të viktimave të sulmit
vdekjeprurës pranë revistës satirike franceze ‘Charlie Hebdo’.

Me iniciativë të Presidentit Martin Shulc, 751 eurodeputetët u ftuan për të kryer homazh në sheshin përpara Parlamentit Europian.

“Jemi thellësisht të shokuar nga ky krim i padurueshëm, nga kjo goditje ndaj shoqërive tona të civilizuara, dhe ne e dënojmë me unanimitet, të gjithë së bashku, pavarësisht besimit fetar, politik dhe kombësive të ndryshme, e dënojmë me forcë këtë dhunë.

Nuk do të bëjmë kurrë lëshime mbi vlerat tona të lirisë së medias dhe shprehjes, të tolerancës dhe respektit reciprok. Asnjëherë nuk do të pranojmë që një dhunë e tillë të ngre pikëpyetje ndaj vlerave tona themelore europiane, që janë gjithashtu vlerat e shoqërisë franceze, një vend që me historinë e tij na i ka dhënë këto vlera. Si të gjithë ju, unë jam Charlie”, tha Martin Schulz, president i PE-së.

Një ditë më parë, krerët e institucioneve të Bashkimit Europian dhe NATO-s reaguan menjehërë ndaj kësaj ngjarjeje tronditëse, ndërkohë që shërbimi diplomatik i BE-së e përfshiu atë në agjendë për diskutim në mbledhjen e parë të ministrave të Jashtëm Europian që mbahet në Bruksel më 19 janar. 

Top Channel