Merr fund terrori në Francë, vriten 3 terroristët; 4 pengje të vdekur

09/01/2015 00:00

Pas thuajse 3 ditësh terror në Francë, forcat speciale përfunduan rreth orës 17:00 të së premtes operacionin e gjërë duke ekzekutuar dy vëllezërit Kouachi në veri të Parisit, si edhe pengmarresin në supermarketin e kryeqytetit francez, ku konfirmohen edhe katër pengje të vrarë nga Presidenti Hollande.

Policia franceze i kishte izoluar prej disa orësh Charif dhe Said Kouachi në shtypshkronjën ku ata ishin strehuar. Vetëm pas një sinjali, forcat speciale shpërthyen dyert e ndërmarrjes dhe i ekzekutuan terroristët. Pengu që ata mbanin u shpëtua.

Ndërkohe paralel me këtë operacion, forca të tjera speciale në pjesën lindore të Parisit ndërhynë në supermarketin ku një tjetër atentator, Amady Coulibaly së bashku me një vajzë, dyshuar si bashkëshortja e tij, mbante peng 6 njerëz.

Policia konfirmon ekzekutimin e pengmarrësit, i cili kishte lidhje me vëllezërit Couachi dhe se vajza e identifikuar si Hayat Boumeddin, që e ndihmoi atë mundi të arratisej.

Në këtë operacion konfirmohen 4 pengje të vrara dhe pesë policë të plagosur, dy në gjendje kritike për jetën. Sipas mediave franceze, ndërhyrja e forcave speciale është ndërmarrë pas vrasjes së pengjeve nga agresori, Amady Coulibaly.

32-vjeçari kishte kërkuar që policia t’i lironte vëllezërit  Couachi, ose në të kundërt do t’i vriste personat që mbante peng.

Burimet policore pohojnë se Amadi Coulibaly është njëkohësisht edhe autori i vrasjes së polices bashkiake ditën e enjte, gjatë një kontrolli rutinë në Paris.

I gjithë ky zinxhir ngjarjesh ka tronditur jo vetëm Francën, por gjithë opinionin ndërkombetar. Pritet që ditët në vijim liderët botërorë të organizojnë takime për hartimin e një politike të re ndaj terrorizmit, ndoshta që këtë të dielë, kur një pjesë e madhe e tyre do të udhëtojnë drejt Parisit për të shprehur ngushëllimet për viktimat e terrorit 3-ditor.

***

Nga vrasjet në Charlie Hebdo e deri tek dy operacionet e forcave speciale franceze; 19 të vrarë, 17 të plagosur, disa prej të cilëve në gjendje të rëndë, shkurtimisht ja çfarë tronditi Francën në tre ditë:

1)    E mërkurë, 7 janar, 11:30, 12 vetë vritën gjatë sulmit në redaksinë e Charlie Hebdo, dy prej tyre policë
2)    E mërkurë, 7 janar, 23:40, policia franceze bastis një zonë në Reims ku dy vëllezërit kishin jetuar vitin e fundit; arrestohen të afërmit e tyre
3)    E mërkurë, 23:00, i dyshuari si shoferi i dy terroristëve, Hamyd Mourad, 18 vjeç dorëzohet në Charleville-Meizeres, në veri të Francës, pranë kufirit me Belgjikën.
4)    E enjte, 8 janar. 08:45, një oficere policie qëllohet për vdekje nga një person i armatosur rëndë dhe me veshje antiplumb në Portle de Chatillon
5)    E enjte 13:00, raportohet një grabitje në një pikë karburanti në Villers-Cotterets; të dyshuarit janë dy vëllezërit e akuzuar për masakrën në Charlie Hebdo
6)    E enjte, 15:00, policia franceze nis kontrollin në pyje dhe shtëpi më shtëpi në Longpont, zonën ku u raportua grabitja
7)    E premte, 08:00. Raportohet grabitja e makinës së një mësuesi në Montagny Sainte Felicite
8)     E premte, 17:00, forcat speciale franceze ndërhyjnë dhe vrasin dy vëllezërit të strehuar në një shtypshkronjë. Lirohet pengu
9)    E premte, ora 17:00, shpërthime të fuqishme dëgjohen në një dyqan ushqimor në Porte de Vincennes, ku Amedy Coulibaly mbante peng gjashtë pengje nën kërcënimin e kallashnikovëve. Vetë Coulibaly mbeti i vrarë, sa për pengjet mbetet ende për t’u mësuar.

Top Channel