Fleckenstein: Ndarja e re, foli Kushtetuesja

09/01/2015 00:00

Pas përfundimit të takimit mes kreut të demokratëve Lulzim Basha dhe
raportuesit për Shqipërinë, Knut Fleckenstein, mesditën e të enjtes PD
shpërndau një njoftim për median.

Për zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015 thotë: “Edhe një herë, Basha e denoncoi ndarjen territoriale, si një hartë të interesave elektorale të dyshes Rama-Meta, kundër interesit kombëtar. Basha theksoi se nuk do të ketë zgjedhje me këtë hartë”.

Një ditë më pas nga Qendra e Informit e Bashkimit Europian në Tiranë, Fleckenstein, pasi deklaroi se ai në Shqipëri ndodhej jo si arbitër, jo si mësues, por si dikush për të ndihmuar e kuptuar ecurinë e reformave, i kujtoi demokratëve se për shqetësimin e tyre, tashmë për ndarjen territoriale e ka thënë fjalën e saj Gjykata Kushtetuese.

“Zoti Basha është i mençur. Ai nuk foli shumë me mua rreth kësaj çështje. Sic ju thashë në fillim unë nuk jam arbitër. Nëse një parti politike nuk dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje të përfshihet në garë atherë është një vendim i lirë marrë prej tyre. Unë kam dëgjuar se për këtë ligj të ndarjes administrative pati një përfshirje edhe nga gjykata juaj kushtetuese.  Mendoj se gjykata kushtetuese e tha fjalën e saj ashtu sic ata vendosën për atë cështje. Unë s’jam më i zgjuar se ata.  Shpresoj shumë që të gjitha partitë politike do të përfshihen në zgjedhje sepse kjo është e drejta demokratike e njerëzve dhe jo vetëm e partive. Njerëzit meritojnë të zgjedhin se kush do ti qeverisë ata”, u shpreh Fleckenstein.


Gjatë paradites të së shtunës raportuesi për Shqipërinë do të takohet edhe me bashkëshorten e Aleks Nikës një prej viktimave të 21 Janarit. Top Channel e pyeti eurodeputetin se në cfarë këndvështrimi do të trajtohet kjo ngjarje në raportin që ai do ti paraqesë parlamentit europian.


“ Unë nuk mund t’ju them tani se cfarë do të shkruaj për 21 janarin. Kam marrë një e-mail nga bashkëshortja e një prej viktimave të 21 janarit, ku shprehet dëshira për t’u takuar me mua. Pas këtij takimi mund të kem një opinion. Katër vjet është një kohë shumë  e gjatë për një hetim. Jam i interesuar për të dëgjuar si ata e shikojnë përparimin e këtij hetimi dhe më pas do të më duhet të pyes se çfarë qeveria do të thotë . Unë mendoj se kjo ngjarje nuk duhet të harrohet. Po, do të jetë një pikë e raportit siç edhe ka qenë në vitet e shkuara”, thotë Fleckenstein.


Knut Fleckenstein deklaroi se ai do të largohet nga Shqipëria me dy përshtypje. E para, tashmë shansi për një dialog politik pas rikthimit të opozitës në parlament është më i madh dhe e dyta shikohet vullnet nga të gjitha palët për të vijuar me reformat e kërkuara nga BE duke theksuar se Shqipëria ndodhet në rrugë të mbarë.

Top Channel