“Ëndrra për 2015”, nisma inovatore e kryeministrit në mbështetje të projekteve të të rinjve

09/01/2015 00:00

“Ëndrra për 2015”, kështu e ka quajtur kryeministri Edi Rama një aplikacion të postuar prej tij në rrjetin social Facebook, shoqëruar me një thënie nga Walt Disney, sipas së cilës: Dallimi mes ëndrrës dhe projektit është afati.

“Unë besoj se çdo ëndërr që njeriu ka, – thotë Rama – me sytë hapur e jo me sytë mbyllur, është e realizueshme. Por sigurisht, sa më e madhe ëndrra, aq më e madhe përpjekja për t’ia dalë. E për t’ia dalë duhet ta projektosh ëndrrën, ashtu siç duhet dhe ta ndjekësh projektin tënd me kurajo e vendosmëri”.

Qëllimi i këtij aplikacioni është mbledhja e ideve prej të rinjve, që mund të merren parasysh nga qeveria. Pas publikimit të aplikacionit në Facebook, kryeministri Rama ka nisur t’u kthejë vetë përgjigje shumë të rinjve, me qëllim që projektet dhe idetë e tyre të promovohen sa më shumë.

Nëpërmjet kësaj nisme, shefi i qeverisë shqiptare kërkon të testojë mundësinë e një politike të re për nxitjen e partneritetit mes të rinjve të rrjeteve sociale e qeverisë, në dobi të komunitetit. Mësohet se ky test përfshin financimin e 10 projekteve, që ata do të paraqesin.

Por, ideja e kryeministrit është më afatgjate dhe më konkrete, në mënyrë që kjo formë inovative e ndërveprimit mes qeverisë e të rinjve, përdorues të shumtë tashmë të rrjeteve sociale, të kthehet në një program real në buxhetin e qeverisë.

Kjo nismë e Ramës nuk synon thjesht thithjen e ideve e të projekteve, por edukimin e brezit të ri me idenë se, duhet të mësohet të kërkojë punën e të ardhmen përmes aftësisë për të projektuar idetë e dijet, për t’i paraqitur aftësitë përpara punëdhënësit.

Top Channel