Ambasadori Donald Lu: Shihemi së shpejti në Shqipëri!

09/01/2015 00:00

Pak përpara mbërritjes në Tiranë, ambasadori i ri amerikan Donald Lu ka zgjedhur një prezantim krejt ndryshe nga paraardhësit e tij, nëpërmjet një videomesazhi drejtuar popullit shqiptar, nga ku ai flet me një shqipe gati perfekte, të mësuar gjatë kohës së pritjes për t’u aprovuar nga Senati amerikan.

“Mirëdita, quhem Donald Lu dhe jam shumë i gëzuar që Presidenti Obama më ka zgjedhur mua si ambasadorin e ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri. Si shumë amerikanë, edhe unë jam djali i një emigranti. Babai im erdhi në Amerikë nga Kina dhe ka punuar shumë për t’u dhënë fëmijëve të tij mundësi, që ai vetë nuk i ka pasur kurrë. Ajo ishte ëndrra e tij amerikane. Unë e di që t’u sigurosh një të ardhme më të mirë fëmijëve tanë është një ëndërr, që amerikanët dhe shqiptarët e ndajnë me njëri-tjetrin”, shprehet ambasadori Donald Lu.

Donald Lu shpjegon më tej në videomesazh angazhimin që do të ndërmarrë në Shqipëri.

“Si ambasador jam i angazhuar të mbështes përpjekjet e popullit shqiptar në ndërtimin e institucioneve demokratike. Ta bëjmë Shqipërinë një aleat më të fuqishëm të NATO-s dhe të punojmë me Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian”, deklaroi Lu.

Ambasadori i ri amerikan i prezanton publikut shqiptar edhe bashkëshorten, duke shprehur hobet e tyre.

“Ariel është gruaja ime dhe do të vijë me mua në Shqipëri, së bashku me fëmijët. Mirëdita (përshëndet e shoqja). Jam rritur në Kaliforninë e Jugut, pranë njërit prej plazheve më të bukura në Amerikë. Arielës dhe mua na pëlqejnë të ngjitemi në mal dhe të luajmë me dy fëmijët tanë në plazh. Sapo të mbërrijmë në Tiranë kemi në plan të vizitojmë malin e Dajtit, si dhe bregdetin tuaj të mrekullueshëm”, shprehet më tej ambasadori Donald Lu.

Pjesën e fundit të videomesazhit, ambasadori Lu ia dedikon asaj çfarë kërkon të arrijë së bashku me popullin shqiptar.

“Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria kanë shumë të përbashkëta, por gjithashtu kemi edhe shumë gjëra për të bërë së bashku. Pres me kënaqësi t’iu takoj në Shqipëri dhe të dëgjoj mendimet tuaja për ato që mund të arrijmë bashkë. Mirupafshim dhe shihemi së shpejti”, përfundon prezantimin e tij Donald Lu.

Top Channel