Tremujori i tretë përmirëson rritjen ekonomike. Gjatë 9-mujorit rritje prej 1.38%

09/01/2015 00:00

Instituti i Statistikave raportoi se rritja ekonomike u përshpejtua në tremujorin e tretë të vitit të kaluar, duke regjistruar një normë dukshëm më të lartë nga ajo e dy tremujorëve të mëparshëm.

“Gjatë këtij tremujori, treguesi i vlerës së shtuar bruto në ekonomi vlerësohet me një rritje prej 3,3% kundrejt tremujorit të tretë të vitit 2013”, njoftoi Gjergj Filipi.

Sipas INSTAT, sektori me kontributin më të madh në rritjen e prodhimit kombëtar ishte tregtia, e cila gjatë tremujorit të tretë ka dhënë më shumë se gjysmën e rritjes totale të ekonomisë.

“Kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë, si: Tregtia e hoteleri-restorantet me 1,73 përqind; Shërbime të tjera me 0,9 përqind; Ndërtimi me 0.81 përqind; Industria me 0.37 përqind; Bujqësia, gjuetia dhe pyjet me 0.24 pikë përqindjeje; Postë-Komunikacioni me 0,15 pikë përqindjeje. Ndërsa dega që ka kontribuuar negativisht në ritmikën e rritjes vjetore të treguesit të vlerës së shtuar bruto të tremujorit në fjalë është Transporti me -1,05 pikë përqindjeje”, shpjegoi në vijim, Gjergj Filipi, drejtor i Institutit të Statistikave.

Në total gjatë 9-mujorit, rritja ekonomike sipas vlerës së shtuar është 1.38 për qind. Qeveria parashikon që, për të gjithë vitin 2014, rritja të jetë rreth 2 për qind, çka sipas përllogaritjeve të përafërta do të kërkonte, që edhe tremujori i katërt të kishte një zgjerim të prodhimit kombëtar në nivele të njëjta me atë të tretin.

Top Channel