“Unbroken” i Jolie shfaqet në Vatikan

09/01/2015 00:00

“Unbroken” është filmi i dytë i Angeline Jolie si regjisore, një film i bazuar në historinë e Louis Zamperini-t, i cili pavarësisht peripecive dhe torturave që kaloi në Luftën e Dytë Botërore, gjeti forcën për të vazhduar falë besimit në Zot.

E ku ka vend më të mirë se sa Vatikani për prezantimin e një tematike të tillë?

Angeline Jolie takoi Papa Françeskun në Vatikan, edhe pse kreu i Kishës Katolike nuk mundi të marrë pjesë në shfaqjen e filmit në “Casina Pio IV” për shkak të një takimi të paparashikuar me Kardinalin e Parisit, të tronditur këto ditë nga sulmet terroriste.

Aktorja dhe regjisorja shoqërohej në këtë takim nga Luke Zamperini, djali i Louis Zamperini atleti olimpik amerikan, avioni bombardues i të cilit u rrëzua gjatë Luftës së Dytë Botërore nga japonezët. Fatmirësisht ai i mbijetoi rrëzimit, por këtu nisën edhe vuajtjet e tij nëpër kampet japoneze të robërve të luftës.

Edhe prej këtyre kampeve Zamperini doli i gjallë, megjithëse i tronditur, stresuar dhe traumatizuar. Ai kalon edhe këto vështirësi falë besimit në Zot dhe gjen forcën për të vazhduar më tej.

Në dramën, Louis Zamperini, që ndërroi jetë më 2 korrik të vitit të kaluar në moshën 97-vjeçare portretizohet nga Jack O’Connell.

Top Channel