PDSH, Aliu: Ndryshimi i Kushtetutës anashkalon kërkesat e shqiptarëve

09/01/2015 00:00

Partia Demokratike Shqiptare në opozitë ka kundërshtuar propozimin e Qeverisë së Shkupit për ndryshimin e Kushtetutës, me arsyetimin se me të anashkalohen kërkesat e shqiptarëve.

Me ndërhyrjen në Kushtetutë përmes 8 amendamenteve, Qeveria synon përkufizimin e martesës si bashkësi vetëm mes burrit dhe gruas, ndryshimin e emrit të Bankës Popullore dhe zbatimin e disa ndryshimeve në sferën e gjyqësorit dhe financave.

Por, për deputetin e PDSH-së Ymer Aliu, këto çështje nuk janë prioritare për Maqedoninë. Sipas tij, Qeveria para se të rregullojë këto çështje, fillimisht duhet t’i mbrojë shqiptarët nga diskriminimi dhe t’u garantojë atyre me Kushtetutë të drejta të barabarta me maqedonasit.

“Banka Popullore është shembulli i keq, se si nuk duhet të jetë përfaqësimi i shqiptarëve, apo se si institucionet nuk përkujdesen për këtë përfaqësim. Përfaqësimi i shqiptarëve në këtë institucion është 2%, ndërsa në poste udhëheqëse nuk ka asnjë shqiptar. Kjo duhet të jetë prioritet dhe jo riemërtimi i kësaj banke”, tha Ymer Aliu, deputet i PDSH-së.

Deputetët opozitarë të PDSH-së thanë se përgjegjësia për mospërfshirjen e të drejtave të shqiptarëve në propozimin qeveritar bie mbi ministrin e Drejtësisë, Adnan Jashari, që ka përgatitur amendamentet për ndryshimin e Kushtetutës.

Por, vërejtjet e shumta nga deputetët shqiptarë të opozitës nuk kanë ndikuar aspak në qëndrimin e kolegëve të mazhorancës. Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Romeo Trenov, doli në përkrahje të propozimit qeveritar, duke thënë se ndryshimi i Kushtetutës në ato pika që ka propozuar Qeveria ka mbështetje edhe nga qytetarët.

“Këto ndryshime për dikë mund të mos kenë prioritet, por VMRO-DPMNE vlerëson se janë të nevojshme dhe këtë e themi hapur. Ne këtu po i shfaqim përcaktimet tona ideologjike dhe të njëjtat kërkojmë që të përfshihen në Kushtetutë”, tha Romeo Trenov, deputet i VMRO-DPMNE.

Propozimi i Qeverisë për të ndërhyrë në Kushtetutë përmes 8 amendamenteve, të premten mori dritën jeshile nga Komisioni parlamentar për Çështje Kushtetuese, kurse në rend dite në seancën plenare të Kuvendit do të vendoset më 20 janar.

Top Channel