Kosovë, Tahiri: Ende s’kemi marrë përgjigje nga BE për strukturat paralele

09/01/2015 00:00

Qeveria e Kosovës nuk ka marrë përgjigje nga Bashkimi Europian, për sa i përket vazhdimit të strukturave paralele të Serbisë në Kosovë, ndërsa është në pritje të një politike më të qartë të BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Në një intervistë për Top Channel, ministrja për dialog Edita Tahiri tha se aktualisht masat e BE-së ndaj Serbisë janë të karakterit diplomatik, që ndërlidhen me kushtet e BE-së për Serbinë për integrimet europiane.

“Përgjigje ende nuk kemi marrë, por unë shpresoj që përgjigjja do të vijë. Në përgjithësi qëndrimi i BE-së është i tillë, që Bashkimi Europian ka kushtëzuar Serbinë në rrugën e integrimit europian me normalizimin e marrëdhënieve fqinjësore me Kosovën, që shprehet në kapitullin 35, i cili është kushti kryesor për Serbinë që të bëjë hapa drejt integrimit europian. Unë pres nga BE që të jenë më të qartë në porositë që kanë ndaj Beogradit, por pres që edhe takimi i kryeministrave në fillim të shkurtit t’i bëjë edhe më të qarta këto procese”, tha Edita Tahiri, ministre për Dialog në qeverinë e Kosovës.

Sa iu përket kryetarëve të komunave me shumicë serbe, të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë në këtë çështje me qeverinë e Serbisë, qeveria e Kosovës tani për tani ka vendosur të mos i ndëshkojë sipas ligjeve. Si arsye për këtë është fakti se bëhet fjalë për një proces të përbashkët me Bashkimin Europian dhe, sipas ministres Tahiri, veprimet preferohen të bëhen në pajtim me BE-në.

Por, edhe kjo situatë do të ketë një afat të sajin.

“Në këtë rast ne, si koncept europian të punës sonë në kuadër të Brukselit, preferojmë një koordinim me Bashkimin Europian, mirëpo ky koordinim ka një afat. Nëse do të shohim që Brukseli nuk do na jep përgjigjet dhe angazhimet e duhura në këtë drejtim, natyrisht që ne duhet të ndërmarrim masa juridike”, shtoi më tej Edita Tahiri.

Qeveria e Serbisë ka marrë disa vendime së fundi, nëpërmjet të cilave kryetarët e komunave me shumicë serbe i ka emëruar edhe kryetarë të komunave paralele. Sipas zyrtarëve qeveritarë, kjo temë do të shtrohet edhe në takimin e dy kryeministrave, që do të mbahet më 9 shkurt. Dialogu rifillon me temat e tjera si drejtësia, shuarja e strukturave paraushtarake serbe, mbrojtja civile që vepron në veri, si dhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.

Top Channel